Tri gra shtatzëna në Kosovë janë të diagnostikuara me koronavirus.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismaili, i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja e tyre shëndetësore aktualisht është e mirë dhe se klinika që ai drejton, ka ndërmarrë disa hapa për frenimin e përhapjes së pandemisë.
“Para disa ditësh, kemi marrë në klinikë një kamerë llaserike, që e mat temperaturën në mënyrë automatike. Çdo paciente që e ka temperaturën mbi 38 gradë, na alarmon dhe menjëherë e identifikojmë. Gjithashtu kemi termometra llaserikë dhe çdo pacienteje në ambulanca të pranimit i matet temperatura”, tha Ismaili.
Si masë për parandalimin e sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi, Ismaili tha se pacientëve u merret edhe një historik i shkurtër.
“Për çdo paciente e plotësojmë një anketë epidemiologjike para pranimit. I pyesim nëse vijnë nga ndonjë zonë endemike me të infektuar, a kanë pasur kontakt me të prekur me koronavirus dhe më pas konsultohemi me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, si dhe me Klinikën Infektive”, tha Ismaili.
Për gratë shtatzëna që dyshohet se kanë koronavirus dhe për ato që diagnostikohen është bërë një repart i veçantë brenda Klinikës Gjinekologjike.
“Për pacientet që janë me COVID-19 kemi ndarë një repart të veçantë. Aty kryhet lindja nga ekipet e mjekëve që caktohen. Por, ajo me çka po përballemi tani, është se shumë nga gratë shtatzëna po kërkojnë të bëjnë teste, jo për shkak të simptomave që i kanë, por nga paniku”, tha Ismaili.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, mikrobiologu Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, tha se nuk ka të dhëna të sakta që tregojnë nëse gratë shtatzëna janë më të rrezikuara nga koronavirusi, sesa pjesa tjetër e popullsisë.
“Për shkak të ndryshimeve në trupin e tyre dhe sistemin imunitar, shtatzënat mund të preken nga disa infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Prandaj, është e rëndësishme që ato të marrin masa paraprake mbrojtëse dhe të raportojnë për çfarëdo simptome apo shenje të sëmundjes që iu shfaqet gjatë shtatzënisë”.
Raka përmendi edhe një hulumtim të bërë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas tij, ka treguar se shtatzënat e infektuara me koronavirus, kanë pasur pasqyrë të njëjtë me gratë tjera që nuk kanë qenë shtatzënë.
“[Prej tyre], 86% kishin sëmundje të lehtë, 9% kishin sëmundje të rëndë dhe 5% zhvilluan sëmundje kritike”, tha Raka.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa këshilla për gratë që janë shtatzëna, në kohën e pandemisë së koronavirusit, duke u kërkuar atyre t’i lajnë duart shpesh, të shmangin prekjen e syve, hundës dhe gojës, si dhe të mbajnë distancën fizike.
Në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë, gjatë muajit mars kur edhe janë shënuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, kanë lindur 709 foshnje, ndërsa gjatë prillit, mesatarja në ditë ka qenë deri në 30 lindje.
Të martën, në Klinikën Infektive në Prishtinë, ka vdekur një grua shtatzënë, e prekur me koronavirus.