Qeveria në detyrë e Kosovës javë më parë mori vendim për t’iu dalë në ndihmë me mjete financiare institucioneve shtetërore e joshtetërore, bizneseve e qytetarëve të kategorive të ndryshme, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 dhe rënies ekonomike.
Në kuadër të kësaj, Qeveria në detyrë e Kosovës,miratoi Pakon Emergjente Fiskale.
Lidhur me këtë pako, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Pako Emergjente Fiskale e miratuar nga Qeveria do të jetë një injeksion për fondet ekonomike.
“Pakoja e miratuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë pritet të ofrojë një injeksion të nevojshëm të fondeve drejt ekonomisë. Sidoqoftë, kushtet nëpër të cilat po kalon ekonomia e vendit nuk do të lënë pa sfiduar edhe financat publike”, ka thënë Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe për masat që ka ndërmarrë ky institucion si rezultat i pandemisë së coronavirusit, si dhe sa do të ketë ndikim ky virus në ekonominë kosovare.
Mehmeti ka bërë të ditur se do të ketë rënie ekonomike prej -2 deri në -4 për qind.
“Nën supozimin se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndjehen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020”, u shpreh Mehmeti.