Mërgimtarë të shumtë i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të ndihmuar me mjete financiare për tejkalim të situatës me koronavirus. Në faqen #meKryeministrin në rrjetin social Facebook janë postuar dëshmi të shumta të dërgesave nga bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës.
“Unë si qytetar i Kosovës me banim në Finlandë iu përgjigja thirrjes së kryeministrit Kurti, përgjigju edhe ti me aq sa ke mundësi. Të tjerët para nesh e dhanë edhe jetën për Kosovën, ne nuk duhet të hezitojmë me e hap kuletën! Marre është me vjedh, jo me lyp!”, shkruante njëri nga mërgimtarët në këtë grup. Postimit ia ka bashkëngjitur edhe dëshminë e dërgesës. Të tilla ka pasur me dhjetëra në këtë faqe të Facebookut, raporton KOHA.
Një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një videomesazhi ka kërkuar nga diaspora që të ndihmojnë në përballje me COVID-19.
“Fondin Rezervë të paraparë vetëm për raste urgjente e kemi gjetur të zbrazur, ndërsa deficiti tregtar është rritur, e prodhimi vendor është i ulët. Në këtë kohë kur shtetet po izolohen, e ardhmja e Kosovës është e pasigurt e me mungesa të shumta. Me stafin mjekësor po e bëjmë të pamundur që të menaxhojmë parandalimin e përhapjes së virusit korona, mirëpo na duhet edhe ndihma juaj”, ka thënë Kurti.
Ka bërë thirrje që të bëhen pjesë e solidaritetit dhe të ndihmojnë në këtë luftë. “Qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë”, ka thënë ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët do t’i kenë kapacitetet më të limituara.