Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka bërë sqarimin për shkresën nga Oda e Afarizmit të Kosovës, të publikuar në media me datën 14.04.2020, të titulluar “OAK: Ndalimi i qarkullimit nga një komunë në tjetrën rrezikon funksionimin e bizneseve esenciale”.
Gjatë ditës së djeshme, të gjitha shqetësimet e ngritura nga të gjitha odat ekonomike dhe shoqatat industriale, ministrja Rozeta Hajdari i ka lexuar dhe adresuar bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe vendimet e fundit, të datës 14 prill, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë, sjellin qartësim për shqetësimet e bizneseve si në vijim: Lejohet qarkullimi i të punësuarve nga një komunë në tjetrën, përveç për zonat e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë si vatra të përhapjes së infeksionit. Kjo rregullohet me formularin e konfirmimit nga ATK -sistemi EDI.
Të gjithë operatorët ekonomikë, respektivisht ndërmarrjet që janë të lejuara për të vepruar sipas NACE kodeve, vendosin se cilët nga stafi i ndërmarrjes të kenë leje mundësinë e lëvizjes për ushtrim të veprimtarisë. Kjo mundësohet me formularin e konfirmimit nga ATK- sistemi EDI.
Në vendimet e Qeverisë Kurti, nuk ekziston termi ‘funksionimi i bizneseve esenciale’, por ekziston termi “operatorët ekonomikë të lejuar të veprojnë sipas kodeve NACE’’.
Çështja e lëvizjes së lirë të stafit të sigurisë dhe depoistëve të operatorëve ekonomikë është ngritur dje te Ministria e Shëndetësisë dhe menjëherë është rregulluar.