Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj akuzave të deputetit Behgjet Pacolli, se autoritetet kosovare po e pengojnë të hyjë në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtare nga Pacolli.
Ndërkaq MSH-ja rithekson se kushdo që hyn në Kosovë, do t’u nënshtrohet masave të njëjta dhe se të gjithë trajtohen “jo nga pozita por sipas kritereve të përcaktuara shëndetësore”.
Njoftimi i plotë:
Nga mediat u njoftuam me ankesat e Kryetarit të AKR dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e z. Pacolli.
Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore.
Po ashtu, nuk jemi të njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë.
Reagime të këtij lloji përçojmë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve.