Nga e shtuna Komuna e Prishtinës, do të fillojë sërish shpërndarjen e shujtave për të gjitha familjet në nevojë, ku me ushqim do të furnizohen 200 deri në 300 persona nga ora 11:00 deri në ora 17:00.
Premtim Fazliu, koordinator nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës ka thënë se ushqimi do të shpërndahet në dy pika, “Aktash” dhe “Tophane”.
Fazliu tha se kanë zhvilluar një mbledhje me Shtabin Emergjent, ku janë marrë vesh që të bëjnë grumbullimin e të dhënave të familjeve në mënyrë që pas një jave shujtat të shpërndahen derë më derë.
“Ne sapo zhvilluam një mbledhje me Shtabin Emergjent pranë Komunës së Prishtinës ku diskutuam çështjen se si do të vazhdojmë me shpërndarjen e shujtave të ngrohta për shkak të vendimeve të reja të ndërmarra nga vendimi i fundit i Qeverisë”.
“Nga nesër do të fillojmë sërish shpërndarjen e shujtave të ngrohta në dy pikat në Aktash dhe Tophane, duke filluar nga ora 11:00 dhe do të zgjasë deri në ora 17:00. Gjatë një jave ne do të grumbullojmë të dhënat e personave apo familjeve që vijnë të shërbehen me shujta të ngrohta në këto dy pika dhe të njëjtat pas një jave të plotë ne do të fillojmë me shpërndarjen e shujtave në shtëpitë e tyre”.
“Me ekipin e shtabit emergjent dhe me vullnetarë të tjerë të deklaruar në Prishtinë ne do të bëjmë shpërndarjen e shujtave të ngrohta në sistemin derë më derë. Për një javë të plotë ne do t’i grumbullojmë të dhënat e familjarëve të cilët do të shërbehen me shujta. Me të njëjtat do të bëjmë një data-baza të cilat pas një jave do të shpërndajmë shujtat në shtëpitë e tyre si pasojë e Coronavirusit”, shtoi Fazliu.
Ai ka treguar se janë përkujdesur për vendosjen e shenjave që të respektohet distanca sepse, raporton EO.
“Pikërisht për shkak të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve për një orë e gjysmë ne kemi vendosur që kohëzgjatja për shpërndarje të shujtave të jetë nga ora 11:00 deri në ora 17:00, sepse për çdo ditë ndryshon orari i lëvizjes së qytetarëve. Kësisoj do të jetë e mjaftueshme të vijnë dhe të shërbehen me shujta”.
“Janë vënë shenjëzimet që të mbahet distance sociale dhe janë dezinfektuar të gjitha qendrat dhe poashtu stafi ka pasur masat parandaluese maskat, dorezat dhe dezinfektues”, shtoi ai.