Testet e gjakut për ata që e kanë kaluar koronavirusin mund të luajnë një rol të rëndësishëm në marrjen e vendimit nëse miliona amerikanë mund të kthehen të sigurt në punë dhe shkolla. Por zyrtarët e shëndetit publik paralajmërojnë se testet nuk janë të certifikuara nga agjencitë që përcaktojnë efektshmërinë e analizave të tilla, dhe mund të krijojnë paqartësi në rrugën drejt mëkëmbjes.
Sipas agjencive rregullatore amerikane, më shumë se 70 kompani janë regjistruar për të shitur të ashtuquajturat teste të antitrupave javët e fundit.
ARCpoint Labs po kryen testet e blera, nga një kompani me seli në Gjermani dhe Kinë, për rreth një javë e gjysmë. Laboratori thotë se ka pasur rreth 300 testime deri tani dhe të gjitha kanë dalë negative, raporton VOA.
Alan Wedal, pronar i ARCpoint Labs, thotë se kjo nuk është e papritur. “Është një pjesë shumë e vogël e popullsisë amerikane që po ekspozohet dhe po preket nga koronavirusi”. Ai thotë se kompania që bën testet ka një shkallë saktësie prej 97 për qindësh. Qeveritë në mbarë botën shpresojnë që testimet e shpejta, të cilat zakonisht përdorin një apo dy pika gjaku në një epruvetë, së shpejti mund të lehtësojnë kufizimet publike duke identifikuar njerëzit që kanë pasur më parë virusin dhe kanë zhvilluar imunitet ndaj tij.
Por mbeten pyetjet të rëndësishme: Sa të sakta janë testet, sa mbrojtje është e nevojshme dhe sa do të zgjasë ajo mbrojtje.
Testet e gjakut janë të ndryshme nga testet, të cilat aktualisht përdoren për të diagnostikuar infeksione aktive COVID-19. Testet e gjakut kërkojnë proteina të gjakut të quajtur antitrupa, të cilat trupi i prodhon ditë ose javë pas luftimit të një infeksioni. E njëjta qasje përdoret për HIV, hepatitin, dhe shumë sëmundje të tjera.
Për shkak të thjeshtësisë relative të teknologjisë, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve vendosi të hiqte dorë nga rishikimi fillestar i testeve, si pjesë e përgjigjes së saj urgjente ndaj shpërthimit të koronavirusit.
“Di që në këtë krizë, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve nuk po kërkon një shqyrtim zyrtar të testit të kompanive si zakonisht. Dhe kjo është ndryshe nga ajo që shohim me teste të tjera në kohë të zakonshme. Kështu që mendoj që kushdo që po testohet duhet të sigurohet ta kuptojnë që testi që po kryen është cilësor”, tha Dr Robin Patel, presidente për Shoqatën Amerikane për Mikrobiologjinë, e cila këshillon që njerëzit të testohen përmes ofruesve të tyre të kujdesit shëndetësor për të qenë të sigurt se po marrin një test cilësor.