Nesër protestohet n ‘ballkon kundër Qeverisë së re pa zgjedhje

Grupi i aktivistëve “Replikë” ka njoftuar se do të organizojë nesër protestë “n ‘ballkon” për t’i kundërshtuar zhvillimet politike në vend.

Përmes një njoftimi për media, ky grup i aktivistëve njofton se protesta do të mbahet nga ora 20:00, ku përmes zhurmës me tenxhere, thonë se do të kërkojnë vazhdimin e punës së Qeverisë në detyrë, deri në përfundimin e pandemisë dhe pastaj shpalljen e zgjedhjeve.

“Zhurma e tenxhereve le të jetë kërkesë e jona për qeveri legjitime dhe respektim të vullnetit të votuesve. Zhurma e tenxhereve le të jetë revoltë e jona kundër një kryeministri i cili nuk ka qenë kandidat për kryeministër gjatë zgjedhjeve, kështu duke mos u respektuar vullneti qytetar. Zhurma e tenxhereve le të jetë revoltë e jona për fokusin e politikanëve gjatë kësaj kohe në lojëra politike e jo në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm nga COVID-19. Zhurma nga ballkonet le të jetë përgjigje e qytetarëve të Kosovës që #NukJemiDele”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ata thonë se protesta do të zgjasë 10 minuta.

“Nga ora 20:00 deri në ora 20:10 do të bëjmë zhurmë me mjete metalike jo të rrezikshme nga ballkonet dhe dritaret e shtëpive dhe banesave tona”, thuhet në njoftim.