Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se përshëndet vendimin e qeverisë për aprovimin e Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, por shpreh shqetësimin e saj se pakoja duhet të shpërndahet shumë më mirë për të përballuar pasojat.
OAK kërkon që të ulen pagat gjatë kohës së krizës në sektorin publik dhe kompanitë publike për 50 për qind për të gjithë ata që nuk janë duke punuar.
“OAK pas marrjes së vendimit të qeverisë është konsultuar gjatë gjithë kësaj kohe me bizneset dhe si rezultat i saj dhe kërkesave të dërguara më herët nga Oda e Afarizmit drejtuar qeverisë po iu dërgojmë edhe njëherë kërkesat dhe rekomandimet tona, duke u bazuar edhe në vendimin e qeverisë. OAK konsideron që shuma e përkrahjes për punëtorët duhet të jetë 220 euro dhe jo 170 euro siç është propozuar. Gjithashtu, OAK konsideron që shuma prej 41 milion euro është shumë e vogël për të mbuluar shpenzimet, meqë në sektorin privat janë rreth 300 mijë të punësuar”, thuhet në njoftimin e Odës së Afarizmit.
Po ashtu, OAK ka kërkuar që paga në institucione publike të zvogëlohet për 50 për qind, ndërsa mjekët dhe kategoritë e propozuara të marrin pagë të plotë.
“Ne besojmë dhe jemi të sigurt se punëtorët qoftë në sektorin publik apo privat do të marrin trajtim të barabartë. Arsyeja qëndron se bizneset nuk janë duke operuar për paaftësitë e tyre por për shkak të situatës së krijuar. Në lidhje me këtë: OAK propozon që të ulen pagat gjatë kohës së krizës në sektorin publik dhe kompanitë publike për 50 për qind për të gjithë ata që nuk janë duke punuar; OAK propozon që të ulen pagat gjatë kohës së krizës së paku për 50 për qind për Kuvendin e Kosovës; OAK propozon që nuk duhet të ketë kompensim përgjatë krizës për kryetarët dhe anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të institucioneve publike, meqenëse nuk janë të angazhuar gjatë kësaj periudhe; dhe po ashtu është më se e domosdoshme që të ndahet një buxhet prej 100 milionë euro, si garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi”, vijon njoftimi.
Në fund, OAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të merren parasysh këto rekomandime, ku sipas tyre, kjo të bëhet në mënyrë që të ketë një balancë mes bizneseve private, institucioneve shtetërore dhe kompanive publike.