Presidenti Thaçi edhe një letër drejt Isa Mustafës, i kërkon emrin e mandatarit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka kërkuar edhe një herë liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që të dërgojë emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Thaçi është shprehur se Mustafa po ashtu duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me Kriteret Mbizotëruese.

Siç mëson Klan Kosova në letrën e Presidentit Thaçi theksohet se pas konsultimit publik me të gjithë liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend (22 prill 2020), liderët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përveç përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, u deklaruan njëzëri që janë për një Qeveri të re dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Reklama e sponzorizuar

”Në përputhje me mandatin tim kushtetues dhe në respektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme, ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, luteni edhe një herë, që pa humbur kohë, të propozoni mandatarin potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në letrën e Presidentit Thaçi dërguar Kryetarit të LDK-së.