Kryetarët e Komunave sot kanë mbajtur takim me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për t’u koordinuar edhe më tutje në betejën e përbashkët kundër pandemisë Covid-19.
Sipas njoftimit për media, ky takim vjen pasi dje Këshilli i Kryetarëve është mbledhur në një takim ku kanë nxjerrë 9 rekomandime për angazhime të përbashkëta në parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Në këtë takim me Ministrin Vitia është vendosur që orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve do të mbetet ashtu siç ka kërkuar AKK-ja dhe do të jetë i njëjtë për të gjitha komunat nga ora 17.00-06.00, përveç komunës së Malishevës dhe Mitrovicës Veriore.
Sipas njoftimit për media, orari i kufizimit mund të ndryshojë varësisht prej ndryshimit të situatës nëpër komuna.
Po ashtu është vendosur që Komunat mund të karantonohen varësisht nga situata dhe zhvillimet në të ardhmen.
“Në varësi të kërkesave të Kryetarëve është vendosur që bujqit do të mund ti punojnë arat por do të pajisen me leje të veçanta që të mund të punojnë edhe jashtë kufizimit. Në anën tjetër Ministri Vitia vlerësoi lartë bashkëpunimin me AKK-në dhe tha pa bashkëpunim me komunat nuk do të arrihet suksesi i dëshiruar”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës më 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse në kohë të pandemisë. Kundër këtij vendimi kishte dalë presidenti i Kosovës, i cili e kishte cilësuar këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën, dhe ndaj tij kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë e ka cilësuar vendimin e jashtëligjshëm, por e ka lënë në fuqi derisa institucionet të marrin vendime të ligjshme për kufizimin e lëvizjes.