Qeveria në detyrë e Kosovës, ka miratuar vendimet për shkarkimin e bordit të Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe të Postës së Kosovës.
Shkarkimi i bordit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, është bërë me arsyetimin se ka pasur, siç thuhet në komunikatën për media, shpërfillje të humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi, mos adresimi i opinionit të auditorit si dhe emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.
Bordi i Postës së Kosovës thuhet të jetë shkarkuar me arsyen se kanë shkelur detyrat finaciare.
“Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Qeveria ka emëruar më pas anëtarët e rinjë të këtyre dy kompanive si dhe të kompanisë së hekurudhave “Infrakos”.
I emëruari si kryesues i bordit të drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Mentor Hyseni, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Hyseni, në zgjedhjet e fundit për deputet të Kuvendit të Kosovës ka qenë ka kandidat nga radhët e LVV-së, por nuk kishte arritur të siguronte një ulëse.
Mirëpo, Hyseni nuk është i vetmi njeri i Vetëvendosjes në krye të bordit, ditë më parë, qeveria në detyrë, kishte emëruar edhe Mirsad Shkretën në bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.