Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike, Ruzhdi Kurtishaj, ka theksuar se sektori privat është më i godituri si pasojë e pandemisë Covid 19.
“Pandemia përveç që i merr jetën njerëzve, ka prekur edhe ekonominë e Kosovës. Diku afër 80 përqind e punëtorëve të sektorit privat janë jashtë vendeve të punës. Kjo është një situatë më dramatike”.
“Pothuajse jemi në gjendje të jashtëzakonshme duke u bazuar nga masat që janë marrë, të cilat e pamundësojnë komplet jetën ekonomike. Mbi 80 % e të punësuarve në sektorin privat janë në shtëpitë e tyre”.
Kurtishaj në Sytë 7 në Klan Kosova ka theksuar se Pakoja Emergjente e Qeverisë nuk është e mjaftueshme për mbështetje të sektorit privat.
“Çdo nismë apo iniciativë që vjen si nga Qeveria apo institucionet për mbështetje të sektorit privat është e mirëpritur. Oda Ekonomike e mbështet këtë iniciativë që do të ishte garanci për zhvillimin ekonomik”.
“Unë kam dërguar qëndrimin zyrtar të Odës, ku theksohet se kjo Pako Fiskale Emergjente e Qeverisë është e papranueshme për sektorin privat dhe si e tillë nuk përmbush nevojat”.