Shqipëria i kthehet sërish shifrave minimale me përhapjen e koronavirusit. Gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar vetëm 8 raste të reja me COVID-19 nga 236 teste.
Mes tyre, janë testuar 45 punonjës shëndetësie, kryesisht në Spitalin e Shkodrës, dhe u zbuluan 2 raste, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës.
Me testimet e fundit, në listën zonave të prekura nga COVID-19 u shtua edhe Kukësi, ku gjendet 1 punonjës shëndetësie i prekur, por ende asnjë qytetar. Ndërsa 6 rastet e tjera janë gjetur në Tiranë. Në dy spitalet COVID aktualisht janë 46 pacientë të shtruar, raporton VOA.
Në Shqipëri koronavirusi ka shkaktuar 24 vdekje dhe ka prekur 475 qytetarë. Autoritetet shëndetësore thonë që, më shumë se gjysma e tyre, 248 qytetarë, tashmë janë shëruar.
Midis 16 të shëruarve të fundit janë edhe 4 mjekë e infermierë. Një nga të shëruarit është drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj dhe dr. Andi Kocaqi. Deri tani janë shëruar 36 vetë personel mjekësor.
Qyteti më i prekur, mes 18 zonave, është Tirana me 227 raste, pastaj Shkodra me 71, dhe Durrësi me 42 raste.
Autoritetet kanë zgjeruar oraret e lëvizjes për 12 orë nga mëngjesi deri në orën 5 pasdite, por qytetarët nevojitet të marrin leje online për të dalë në treg jo më shumë se një 90 minuta.
Policia dhe ushtria thotë se zgjerimi i orareve nuk duhet keqkuptuar nga qytetarët për të lëvizur më shumë, por për të zgjedhur se në cilën pjesë të ditës një nga familjarët ka nevojë për të kryer detyrat, që i nevojiten familjes. Policia vazhdon të ndëshkojë shumë qytetarë që shkelin oraret e lëvizjes, dhe ata që dalin pa leje qarkullimi me automjet apo në këmbë.
Shqipëria ka kaluar 4 fundjava me izolim të plotë 40 orëshe dhe, sipas të gjitha gjasave, kështu do të jetë edhe fundjava e ardhshme.