Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Suedi ka shkuar në mbi 20,000 persona të mërkurën.
Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, shteti skandinav i raportoi 681 raste të reja të infektimeve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Sipas të dhënave më të reja të Agjencisë së Shëndetit Publik, numri i saktë i të infektuarve është 20,302.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u raportuan edhe 107 viktima të reja, duke e çuar në 2,462 numrin e përgjithshëm të të vdekurve. Ndërkohë 1,005 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.
Suedia ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve botërore për shkak të mungesës së masave kufizuese, ndryshe nga shumica e vendeve të botës.
Infektologu që po e udhëheq luftën e këtij shteti ndaj virusit, Anders Tegnell, më parë ka deklaruar se disa masa që janë marrë nga shtetet e tjera nuk kanë bazë shkencore dhe se mbyllja e kufijve është masë qesharake, kur virusi është në gjitha vendet e Evropës.