Pandemia e Coronavirusit ka shtyrë edhe mbajtjen e provimeve në afatin e jashtëzakonshëm të prillit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Por, nëse kjo situatë do të zgjasë deri në afatin e qershorit, UP është duke bërë përgatitjet që ta bëjë sa më të lehtë mbajtjen e provimeve online.
Prorektori për Shkencë në UP, Faton Berisha ka thënë se po mendojnë si t’i organizojnë provimet online, por vetëm për afatet e rregulla.
“Hipotetikisht në qoftë se kjo situatë vazhdon edhe gjatë qershorit ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet që të mund të fasilitojmë mbajtjen e provimeve online, të gjejmë një sistem të proktorimit, secilit fakultet apo fushë secifike do t’i ipet mundësia që të përdorin mënyrë të komunikimit specifik për atë fushë. Jemi duke u menduar si ta organizojmë provimet online në afatet e rregullta”, tha ai.
Sipas Berishës, provimet periodike, testet, kuizet online janë lënë në kompetencë të profesorëve të lëndës, meqë janë pjesë e mësimdhënies.
“Në qoftë se profesori apo asistenti i lëndës konsiderojnë që mund të menaxhojnë. Prokturimi i studentëve është një prej problemeve tek mësimi online, nëse mund ta menaxhojnë këtë iu është dhënë liria që t’i mbajnë provimet periodike”, ka shtuar Berisha.
Prorektori Berisha në këtë intervistë për Ekonomia Online, ka treguar edhe për ecurinë e mësimit online në këtë universitet.
“Me kërkesën e rektorit të Universitetit të Prishtinës ne patëm filluar përgatitjet e mësimit online, akoma pa ndodhur rasti i parë i infektimit shpejt kaluam në mësimin online. Numrat dhe statistikat tregojnë se Universiteti i Prishtinës brenda disa ditësh është shndërruar në gjigant të mësimit online”, tha ai.
Sipas tij, gjatë muajit mars në Universitetin e Prishtinës janë mbajtur 11 mijë e 555 orë mësimore online.
“I tërë procesi mësimorë me përjashtim të punëve labaratorike, praktike ka kaluar online, jemi krenarë për punën që ka bërë zyra e IT-së e cila ka dizajnuar një sistem të raportimit të vijueshmërisë, ku importohen të dhënat nga Google Meat të cilën e shfrytëzojnë për takime online në sistemin tonë të vijueshmërisë SEMS dhe çdo gjë funksionon për studentët sikur tek mësimi i kontaktit”, shtoi ai.
Ndërkohë ai ka bërë të ditur se puna praktike, laboratorike momentalisht ka mbetur pak prapa.
“Ajo që po mundohemi ta bëjmë në fakultetet përkatëse është që profesorët të i mbarojnë pjesën teorike online gjatë kësaj kohe dhe pastaj nëse gjatë këtij semestri normalizohet gjendja krijohet një hapësirë që në mënyrë të përqendruar të mbahen orët e mësimit labaratorik, praktik”, shtoi Berisha.
Kurse, zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se MAShTI ka vendosur që t’i takojnë ekspertët më të mirë të të gjitha universiteteteve dhe të krijojnë një platformë të përbashkët në qasje më të standardizuar që të bëhet më lehtë vlerësimi i studentëve
“Afati i prillit nuk është afat i rregullt nuk është ndonjë dëm që i bëhet procesit mësimor, vetëm universiteti i Prishtinës deri tani e ka shtyrë afatin e prillit disa kanë filluar t’i mbajnë, ne e kemi vendosur ministria që t’i takojmë ekspertët më të mirë të të gjitha universiteteve prej konferencës së rektorëve dhe bashkë me ta se a mundet Kosova në nivelin e arsimit të lartë ta krijoj një platformë të përbashkët, në qasje më të standardizuar që të bëhet më lehtë vlerësimi i studentëve”, tha Rexhaj.