Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh koordinator i Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim gjeneral majorin Michele Risi, komandant i KFOR-it në Kosovë dhe gjeneral brigade Shawn Harris, në cilësinë e shefit të stafit.
Sipas një njoftimi të MPBAP-së, në këtë takim u bisedua lidhur me gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së pandemisë Covid-19, sidomos për masat e marra nga ana e Qeverisë me qëllim te parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të virusit.
“Sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë, u vlerësua të jetë e qetë dhe stabile. Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major, Michele Risi, shprehu përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe ofroi mbështetjen e KFOR-it me të gjitha kapacitetet ekzistuese. Me këtë rast, të dy palët u shprehen se bashkëpunimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe KFOR-it është i mirë, dhe se komunikimi dhe koordinimi do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh ditëve në vijim”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.