Thaçi nis konsultimet me liderët e partive në orën 10

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, filloi dje konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj qeverisë.

Gjatë ditës së mërkure, Thaçi priti në takime të ndara kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, si dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veselin.

Thaçi theksoi se me ta është takuar për të parë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Reklama e sponzorizuar

Presidenti Thaçi dje njoftoi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe sot.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të vazhdojë konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Sipas një njoftimi nga presidenca, në orën 10:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin.

Në orën 10:30, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiqin.

Në orën 11:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn.

Në orën 11:30, presidenti Thaçi i pret në takim konsultativ përfaqësuesit e Grupit Parlamentar “6 Plus”.

Në orën 12:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, presidenti Thaçi tha se do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.