Një ditë para se të hyjë në fuqi vendimi për masat e reja të ndalimit të lëvizjes së lirë, shumë qytetarë ia kanë mësyrë bankave, duke krijuar tollovi, por edhe rrezikshmëri për shëndetin e tyre pasi nuk mbahej distanca.
Për të respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishte dalë edhe policia për të mbajtur rend për distancën sociale në këto vende. Madje ajo u detyrua edhe të ndërhyjë.
Koha ka siguruar disa fotografi në qytete të ndryshme të Kosovës, ku para bankave janë krijuar tollovi të gjata.
Shefkete Ahmeti thotë për Kp, se ka pritur në radhë më shumë se dy orë për të tërhequr para nga banka, pasi i duhen për blerjen e barnave.
“Po pres të marrë para, pa to s’kam ku shkoj, se më duhen për barna, pasi kam mbetur pa to. Tash deri të hyj në rend kështu”, tha Ahmeti.
Po ashtu edhe Fatmir Halili sot priti gjatë në një bankë për të hapur një llogari, pasi me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë nga nesër nuk mund të marrë shërbime, dhe e drejta e tij e lëvizjes është vetëm pasdite.
“Prej orës 11:00 jam duke pritë këtu, edhe po besoj që s’po mund të kryej punë për të hapur llogari. Unë e kam të drejtën të dal prej orës 15:00 deri në 16:30, ndërsa bankat punojnë vetëm deri në orën 13:30, kështu që sot po presim në radhë për të marrë shërbime”, theksoi Halili.
Policia vazhdimisht është detyruar të ndërhyjë për të mbajtur distancë sociale sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtare të Shëndetësisë Publike.
Qytetarët e Kosovës mbi moshën 16-vjeçare, nga e mërkura, (6:00 mëngjes), do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. Sipas vendimit të fundit, dalja jashtë shtëpive duhet të bëhet vetëm me arsye, për të kryer ndonjë shërbim apo për furnizim.
Dalja jashtë shtëpive për 90 minuta u përcaktua në bazë të numrave të parafundit personal.