Trumpi ia ndal fondet OBSH-së, e akuzon për keqmenaxhim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka bërë të ditur se administratën e tij e ka udhëzuar t’ia ndalë fondet Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ai ka deklaruar se OBSH-ja kishte “dështuar në detyrën e saj themelore” të reagimit gjatë përhapjes së koronavirusit.

I pari i SHBA-së e ka akuzuar këtë trup të OKB-së për keqmenaxhim dhe fshehje të përhapjes së virusit, duke thënë se duhet të japë llogari, raporton BBC, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Trumpi më herët e kishte akuzuar OBSH-në për anim, në mbështetje të Kinës.

Vetë Trumpi është përballur me kritika në SHBA rreth mënyrës se si e ka menaxhuar përgjigjen amerikane gjatë pandemisë.

“Po e udhëzoj administratën time t’i ndalë fondet, teksa të përfundojë rishikimi, përmes të cilit do të vlerësohet roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keqmenaxhimin e rëndë dhe fshehjen e përhapjes së koronavirusit”, ka thënë Trumpi gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë.