Veseli: Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin, s’ka aministi e as falje për krimet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përkulur sot para memorialit të të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë.

Veseli duke nderuar të pagjeturit emrat e të cilëve figurojnë në pllakën pranë Kuvendit të Kosovës, është shprehur se ky simbol, shfaq dhembjen e njerëzve dhe për këtë do të ketë shpagim.

”Ky simbol prapa nesh që simbolizon dhembjen e njerëzve tanë, do shpagim. Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin e vet që ka kryer mbi popullatën e pafajshme, mbi fëmijët tanë, civilët, përmes një tribunali ndërkombëtar që e kam iniciuar dhe i cili duhet ta marrë drejtimin e vet institucional. Kosova e ka për obligim të kërkojë nga Serbia përgjegjie dhe nga kriminelët e Serbisë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

”Kjo është ajo që duhet ta themi këtë përvjetor. Do ta themi çdo ditë, nuk ka shpëtim pa marrë shpagim as Serbia dhe asnjë kriminel që mund të mendojë se e ka kaluar lehtë këtë krim që e ka kryer mbi popullatën civile të pafajshme”, shtoi ai.

Çka pritet të ndodhë në Qeverinë e re me tribunalin ndërkombëtar të iniciuar nga Kadri Veseli?

“Si për çdo gjë, për fat të keq politizimi i tepruar po e dëmton Kosovën. Ne duhej tashmë ta kishim, jo Qeveria, por Kuvendi ta votonte tribunalin e iniciauar në legjislaturën e kaluar për faktin se nuk ka nevojë të riciklojmë debate të panevojshme që e bëjnë theksin  e problemit në Kosovë kur ai është drejtpërdrejt në shtetin serb dhe ka të bëjë me kriminelët serbë që janë në Serbi”.

”Sa më shpejt që votohet iniciativa për tribunal ndërkombëtar, ku ka fakte e dëshmi me mijëra, nëse shkojmë institucionalisht atëherë me të vërtetë do të kemi përballjen e Serbisë dhe jo krenimin e Serbisë”, shtoi ai.

Veseli komentoi edhe debatin e fundit të krijuar nëse për krimet që Serbia ka kryer ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës duhet falur.

”Nuk ka amnisti, nuk ka falje. Ka veç përgjigjie të Serbisë për gjenocidin që e ka kryer, dhe nuk duhet të ketë as pranim as nënshtrim ndaj shtetit serb kurrë”, tha Veseli.