BE-ja nuk ka arritur të ketë qëndrim të përbashkët për heqjen e vizave për Kosovën. Kjo bën që nga perspektiva e Kosovës, BE-ja të mos shihet si dikush që kryen punë.
Analisti gjerman, bashkëpunëtor i lartë pranë Këshillit për Politikë të Demokratizimit, me seli në Berlin, Bodo Weber, thotë se çështja e liberalizimit të vizave është “është çështja më urgjente” e BE-së.
“Nëse BE-ja e ka bile intencën që të mësojë diçka nga ajo që ka ndodhur javën e shkuar në Kosovë, gjënë e parë që duhet ta bëjë për ta kthyer besimin, duke nisur nga Qeveria gjermane, e më pas francezët dhe të tjerët që ta japin të gjelbrën për liberalizim tash, edhe pse me mbylljen e kufijve tani, nuk do të jetë e zbatueshme, porse askush nuk do ta marrë BE-në seriozisht po qe se nuk e miraton liberalizimin”, deklaron Weber në emisionin DESKU të KTV-së, ndërsa shton se nëse Bashkimi Evropian nisë të kërkojë që ta ketë rolin udhëheqës në procesin e ngrirë të dialogut, “nuk ka kurrfarë kuptimi pa liberalizim”.
Bodo Weber thotë se tashmë është bërë dëm në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, por thekson se ekziston mënyra për ta kthyer udhëheqjen.
Sipas tij, kancelarja gjermane, Angela Merkel duhet ta bind qeverinë e saj që ta miratojë liberalizimin e vizave, e më pas t’i kontaktojë kolegët nga shtetet kyçe dhe të ketë paraqitje më të shpeshta për temën e dialogut.
“Gjithashtu mund të flasë edhe për krizën politike që po e rrezikon menaxhimin e krizës me virusin në Kosovë. BE-ja mund të kthehet e të insistojë të gjinden zgjidhjet për krizën politike që mbështeten mbi Kushtetutën dhe sundimin e ligjit, porse nëse mëton ta kthejë kredibilitetin e saj e që ndërkohë të mos e bëjë liberalizimin e vizave, është punë që s’bëhet. Lëvizja duhet të ndërmerret për liberalizim, e më pas krejt tjerat do të mund të bëhen”, potencoi në fund të kësaj interviste, analisti gjerman, Bodo Weber.
Weber: T’u bëhet e qartë Thaçit e Vuçiqit – s’ka perspektivë evropiane nëse thoni se duhet harruar BE-në
Duke qenë se shumica e partive politike dhe e liderëve në vend thonë se pa pjesëmarrjen amerikane në dialog, nuk ka gjasa që të arrihet gjë përfundimtare, analisti gjerman, Bodo Weber, në një intervistë për emisionin DESKU në KTV, thotë se kjo çështje duhet shikuar nga dy kënde.
“Nga këndi kosovar, natyrisht, për politikën kosovare, së cilës nuk mund t’i them se çfarë duhet bërë, është vështirë ta kesh një pozicion të pavarur kur e ke një konflikt transatlantik. Askush nuk i ndal politikanët kosovarë ta mbajnë pozicionin e vet për ta mbrojtur integritetin territorial dhe interesin kombëtar, pavarësisht a është qasje kritike ndaj SHBA-së dhe BE-së, porse kemi nevojë bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së. Tash nuk e kemi. E kemi SHBA-në duke ia futur thikën në shpinë BE-së. Vetëm kujtojeni deklaratën e përbashkët të Kuintit më 24 mars dhe më pas deklaratën e Kosnettit me qëndrim të kundërt. Tash SHBA-ja ka nis luftën për ta marrë dialogun duke e dëmtuar dialogun dhe ne, pra BE-ja, nuk po i futet asaj lufte”, shprehet analisti gjerman.
Ai thotë se dialogu mes dy vendeve ka pësuar vdekje klinike në 18 muajt e fundit “sepse Evropa nuk është angazhuar shumë”.
“E keni parë se me thirrjet e znj. Merkel me kryetarin Vuçiq se nëse ka bile pak lidership nga BE-ja apo brenda BE-së, atëherë mund t’i zhbllokoni gjërat. Si te rasti i tarifave dhe pengesave tregtare. Prandaj jam i bindur se nëse BE-ja e pranon konfrontimin me SHBA-në dhe ngul këmbë për t’i thënë z. Thaçi, ‘nëse thoni se duhet harruar BE-në’ atëherë duhet t’ua shpjegoni elitës dhe popullit se nuk do të ketë më perspektivë evropiane për anëtarësim në BE për Kosovën. E njëjta vlen edhe për Serbinë, kur Vuçiqi mes krizës së koronës thotë mos ia varni veshin Evropës, se nuk po na ndihmon, pra po i kthehemi Kinës, edhe këtu BE-ja duhet të jetë shumë e qartë e t’i thotë se me këtë s’ka perspektivë anëtarësimi në BE dhe se kjo punë ngre pasoja”, thekson Weber.
Analisti gjerman thotë se po qe se BE-ja vjen në vete dhe i qaset seriozisht problemit, atëherë “asnjë performancë e dëmshme amerikane s’do të mund t’ia merrte rolin udhëheqës në dialog, përderisa do të ketë mundësi që të arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe SHBA-së, ashtu që SHBA-ja të jetë pjesë e procesit”.
Gjithashtu, Weber thotë se nëse Grenelli do që të promovojë ekonominë, “është më se i mirëseardhur që t’i bashkojë forcat me BE-në dhe të fokusohet në aspektet ekonomike, por përbrenda një procesi politik të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.
“E atëherë SHBA-ja do të jetë me një tavolinë me Brukselin, ashtu siç ka qenë përherë. Por kjo ka qenë në kohën kur BE-ja e pa pasur një pozicion, kur kishte strategji fillestare, e jo të mos ketë bashkim si në kohën e Mogherinit, e më pas duke mos pasur qartësi e as qëndrim duke e lejuar z. Grenell të veprojë me javë e muaj para se të dilnin me qëndrim të përbashkët francezo-gjerman”, ka theksuar analisti gjerman, Bodo Weber.