Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kosova tashmë gjendet në 2 javorin më të rrezikshëm sepse rritja e të prekurve me koronavirus mund të ndodhë me numra shumë më të mëdhenj se ç’kemi parë deri më tani.
“IKSHPK tashmë ka nisur të marrë informata edhe nga veriu për të prekurit me COVID-19. Qëndrimet se Serbia ka ndërhyrë në Veri, nuk qëndrojnë aspak. Këto po bëhen për përfitime politike, por edhe po e vështirësojnë punën e institucioneve të Kosovës. Dy komuna atje janë futur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë pas kërkesës së IKSHPK-së. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara të mbrojnë çdo qytetar, pavarësisht gjuhës, nacionalitetit apo religjionit që i takojnë. Të gjendur para një situate kur kemi një armik të padukshëm, të gjitha instancat janë duke bashkëpunuar shumë mirë mes vete. MSH-ja, IKSHPK-ja dhe Policia e Kosovës atje janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ato komuna”, tha U.D. i ministrit të Brendshëm.
Ai thotë se vendimi për t’i futur në karantinë ato dy komuna është marrë më herët, dhe nuk është se ka qëndruar në heshtje.
“S’kemi dashur që këto vendime t’i japim me tupan dhe s’kemi dashur të ngjallim ndonjë reagim atje. Në fillim as që kemi dashur të reagojmë ndaj akuzave këtu, që s’kanë marrë parasysh fare elementin njerëzor dhe atë shëndetësor, por kanë kaluar në sulme të drejtpërdrejta”, u shpreh më tej Sveçla.
Ai e ka publikuar në emision vendimin e Qeverisë për të futur në karantinë dy komunat serbe në veri, Mitrovicën Veriore dhe Zveçanin.
Rreth marrëveshjes së përfolur me institucionet e Serbisë për të menaxhuar situatën në këto komuna, ai tha se s’ka asnjë marrëveshje të tillë.
Ai tha se s’është e vërtetë që ka staf mjekësor që ka ardhur nga Serbia në Kosovë, por tha se ka ardhur vetëm ndihmë për komunat veriore për shërbimin parësor nga personeli mjekësor nga Serbia, por që, sipas tij, ka qenë procedurë e zakonshme.
“Kjo ka ndodhur në vazhdimësi. Ata kanë të drejta shtesë në raport me komunat tjera në Kosovë. Duke e parë nevojën që ky shërbim t’u ofrohet të gjithë qytetarëve, gjithmonë në koordinim të IKSHPK-së… Ata marrin leje për këtë, natyrisht. Sikurse edhe në rastet tjera. Ata kërkojnë leje, dërgojnë lista, dhe kur e kemi parë që janë personel mjekësor, e kemi lejuar hyrjen e tyre, e disa që kanë qenë të profesioneve tjera, i kemi refuzuar. Ekziston vullneti për ta ndihmuar këtë komunitet, sepse këta mund të jenë edhe më të rrezikuar se qytetarët tjerë”, theksoi U.D. i ministrit të Brendshëm.