Zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi, tregon se nuk ka pasur asnjë situatë të jashtëzakonshme në këtë kompani, ndërsa thotë se nuk e di kush e ftoi Policinë dhe se këto veprime po bëhen “për të sjellë frikë”.
Abazi e ka mohuar se do të ketë shkarkime të menaxhmentit të lartë të Telekomit dhe tregon se është anuluar mbledhja e bordit të përkohshëm, të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka emëruar.
“Pashë tituj se do të ketë shkarkime, kjo nuk është e vërtetë”, tha ai, transmeton Gazeta Express.
Forca të shumta të rendit janë parë në ndërtesën e Telekomit, e zëdhënësi i kompanisë thotë se Policia është ftuar sepse dikush po dëshiron të ndjellë frikë aty.
“Ka pasur mbledhje të bordit, por mbledhja nuk është mbajtë. Kushdo qoftë që i ka ftuar policinë, ka bërë gabim të madh. Kushdo që i ka ftuar na kujton kohën e represionit dhe ish-pushtetit”, ka thënë Abazi.
“Të na pengohet puna çdo ditë si sot, kjo është e tmerrshme. Nëse kryeministri i vendit bën çdo ditë deklarata për ndalje të gjakderdhjes financiare, a po stimulohet një gjakderdhje tjetër, duke i sjellë policinë këtu dhe duke sjellë frikën”, shton tutje ai.