Zëvendësim urgjent për 23 diplomatë, akraba të politikanëve

Akraballëku në diplomaci është goditur nëpërmjet një konkursi të brendshëm, të shpallur një ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Konkursi është për 23 pozita nëpër ambasada e konsullata të Kosovës gjithandej botës, që mbahen jashtëligjshëm kryesisht nga të afërm të të fortëve të politikës.

“Koha Ditore” e ka siguruar të enjten përmbajtjen e konkursit, i cili flet për zëvendësimin me urgjencë që do të bëhet për këto pozita në 13 misione të ndryshme. Në të mund të aplikohet me e-mail dhe është i vlefshëm vetëm për zyrtarët që kanë grada të rregullta diplomatike. Një konkurs tjetër është paralajmëruar të shpallet shpejt, shkruan KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Pas përmbylljes së këtij konkursi, në të cilin janë shpallur pozitat vakante që kërkohen të mbulohen me urgjencë dhe pozitat me grada kryesisht të larta, do të shpallet konkursi i radhës, i cili do të trajtojë kryesisht pozitat me grada më të ulëta”, thuhet në një e-mail të Ministrisë, dërguar stafit.

Në një tjetër tregohet se kush mund të aplikojë.

“Të drejtën e shprehjes së interesit e kanë të gjithë nëpunësit e Ministrisë me grada diplomatike apo konsullore, si dhe anëtarët e shërbimit të jashtëm që aktualisht janë me detyrë në misione diplomatike apo poste konsullore, të cilët kanë shërbyer së paku 2 vjet në të njëjtin mision”, thuhet në e-mailin tjetër. “Zyrtarët e interesuar të cilët i plotësojnë kushtet, do të mund të aplikojnë në të gjitha pozitat pa kufizime”.