Qeveria e Zvicrës do ta zbulojë të enjten se si planifikon të zbus masat për mbylljen e vendit – masa këto të vendosura për të ndaluar përhapjen e epidemisë së re të koronavirusit, raportojnë mediat zvicerane.
Ministri i shëndetësisë Alain Berset do ta tregojë planin trefazor për të filluar gradualisht me hapjen e bizneseve dhe shkollave të cilat kanë qenë të mbyllura për një muaj.
Sipas planit të Bersetit, kompanitë të cilat ofrojnë shërbime sikur frizerët apo fizioterapeutët do të lejohen të kthehen në punë prej datës 27 prill.
Numri i klientëve do të jetë i limituar, raporton Reuters, transmeton Koha.
Duke pasur një hapësirë kohore prej dy apo tri javëve në mënyrë që të monitorojnë situatën, shkollat mund të hapen më 11 maj, ndërsa baret dhe restorantet do të jenë të mbyllura deri më 8 qershor.
Nuk ka ende ndonjë plan për koncerte apo ndeshje të futbollit duke e marrë parasysh që Zvicra i ka ndaluar tubimet e njerëzve me më shumë se pesë persona.
Koronavirusi në Zvicër deri tani i ka marrë jetën 973 njerëzve.