Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë raportoi sot, e enjte, 10 të diagnostikuar të tjerë me Covid-19, duke e çuar totalin e të infektuarve në 842.
Në deklaratën për shtyp, Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), tha se gjatë 24 orëve u testuan 275 qytetarë, prej të cilëve 10 rezultuan pozitivë me koronavirus.
Rastet e reja janë: 3 në Tiranë, 3 në Krujë, dy në Kamëz dhe dy në Shkodër.
Në total, nga 842 të infektuarit, 31 kanë vdekur, 605 (+10) janë shëruar dhe 206 mbeten ende të sëmurë, prej tyre 38 (+2) janë në spital, 7 prej të cilëve në terapi intensive.
Një ditë më parë të shtruarit në spital ishin 36, ndërsa të shëruarit 595 persona.