Ndonëse numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar rënie ditëve të fundit, në Kosovë vazhdojnë të mbesin edhe 202 raste aktive me koronavirus.
Në Klinikën Infektive tre nga pacientët që po trajtohen janë në gjendje të rëndë shëndetësore, në mesin e tyre edhe një mjek. Megjithatë numri i pacientëve të cilët po trajtohen në këtë Klinikë nuk është rritur.
Të enjten 19 persona janë raportuar të shëruar ndërkaq janë konfirmuar katër raste të reja, për të cilat IKSHPK-ja ka njoftuar se janë raste kontakti.
E për trajtimin e personave të infektuar, Kosova po vazhdon ta përdorë barin e ndaluar nga OBSH-ja, hidroksiklorokinën.
Deri tash numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 1052. Sipas shifrave zyrtare, numri i të shëruarve është 820 ndërkaq 30 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit, për të cilët gjithashtu është thënë se kanë pasur sëmundje të reja shoqëruese.
Që nga 4 maji institucionet në vend kanë marrë vendim për lehtësimin e masave të cilat ishin marrë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Më 18 maj, ka filluar të aplikohet faza e dytë e lehtësimit të masave, ku fillimisht orari i lëvizjes qe përcaktuar të jetë 4 orë, por nga e hëna Ministria e Shëndetësisë mori vendim që nga 28 maji qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm për 16 orë në ditë nga ora 5:00 deri në 21:00. Poashtu është vendosur që të hapen edhe objektet fetare. Nga 1 qershori pritet të kalohet nga fazën e tretë të lehtësimit të masave.