36 persona të prekur me COVID-19 aktualisht janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje infektologia Arjeta Zogaj.
Zogaj i ka thënë Gazetës Express se tre prej të infektuarve gjenden në mjekim intenziv, derisa katër të tjerë deklaron se janë me oksigjeno-terapi.
Sipas saj, edhe gjendja e shtatzënës së infektuar është e mirë.
“36 persona i kemi aktualisht që po trajtohen në Infektivë. Pesë janë në pritje të rezultateve. Tre prej të infektuarve gjenden në mjekim intenziv, ndërsa katër të tjerë janë me oksigjeno-terapi. Në Infektive është duke u trajtuar edhe një shtatzënë dhe gjendja e saj është e mirë”, ka thënë Zogaj për Express.
Ndryshe, mbrëmë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik janë testuar gjithsej 221 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Prej këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar shtatë raste. Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës.
IKShP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 27 pacientëve.
“Sot më 01 maj 2020, janë shëruar edhe njëzet e shtatë (27) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) raste”, thuhet në njoftim.
Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 813, ndërsa 298 pacientë janë shëruar.