51 ish-punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nuk janë kthyer në punë përkundër vendimit të Inspektoratit të Punës.
Vendimi, i marrë një muaj më parë, i cili obligonte Aeroportin për rishqyrtim të mosvazhdimit të kontratave për këta punëtorë nuk është pranuar nga kjo kompani.
Aeroporti është ankuar në shkallën e dytë të Inspektoratit të Punës, raporton KOHA.
Sindikata e punëtorëve të Aeroportit thotë se janë të obliguar që të presin vendimin e shkallës së dytë, por besojnë që edhe ai do të jetë në favor të tyre.
Pas vendimit të shkallës së dytë, kryetari i sindikatës, Bashkim Latifi thotë se do t’i drejtohen Gjykatës nëse vendimi nuk respektohet nga ana e Aeroportit.
Ndërkohë, nga Aeroporti kanë thënë shkurt se do të veprojnë konform ligjeve në fuqi.
Inspektorati i Punës në vendimin e tij, ka konstatuar një varg shkeljesh nga kompania “Limak”.
Aty thuhet se kompania nuk ka arritur që të dëshmojë se largimi i punëtorëve kishte të bënte me probleme financiare, pasi e njëjta nuk ka ofruar dëshmi për probleme të tilla.
Në mesin e punëtorëve të larguar nga puna janë edhe 6 punonjës që kanë përvojë mbi 10-vjeçare, që sipas Inspektoratit është shkelje e Ligjit të Punës.
Punonjësit që nuk iu është vazhduar kontrata janë anëtarë të Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit dhe kanë qenë pjesë e grevës së organizuar në gusht të 2019-s, ku është kërkuar trajtim i barabartë dhe kushte më të mira të punës.