Anëtarët e shkarkuar të Këshillit Drejtues të UP-së e akuzojnë ministren Bajrami për vendim politik

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Arbitrar dhe me tendenca politike e personale po e konsiderojnë vendimin e ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, të shkarkuarit nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Të mërkurën, Bajrami shkarkoi 3 anëtarët Ujkan Bajrën, Fadil Osmanin e Drita Shoshin me arsyetimin se Këshilli ka dështuar t’i përmbushë detyrat e tij, raporton KOHA.

Në vend të tyre, ministrja emëroi Muharrem Bajramin, Fisnik Reqicën e Mentor Gecin.

Reklama e sponzorizuar

Ish-kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, ka thënë se janë të befasuar me vendimin për të cilin ka shtuar se nuk u njoftuan paraprakisht. E ka kritikuar Bajramin se që nga ardhja në MASHTI asnjëherë nuk iu përgjigj ftesave të Këshillit për takim.

Për shkarkimin e tyre, Bajra ka thënë se e kanë njoftuar përmes një shkrese edhe kryeministrin Albin Kurti.

I shkarkuari tjetër, Fadil Osmani, ka theksuar se Këshilli i ka kryer të gjitha detyrat dhe obligimet dhe se arsyetimi i ministres se kanë dështuar në punën e tyre nuk qëndron.

Anëtarja e tretë e shkarkuar nga Bajrami, Drita Shoshi, ka thënë shkurt përmes telefonit se është e befasuar nga siç e ka quajtur vendimi “qëllimkeq” i ministres.

KOHA ka kërkuar një qëndrim nga ministrja Bajrami për arsyet që quan në shkarkimin e 3 anëtarëve të Bordit të UP-së, por ajo nuk është përgjigjur.

Fadil Osmani dhe Drita Shoshi kanë pasur mandat deri në vitin 2021, ndërkaq Ujkan Bajra deri në vitin 2022. Këshilli Drejtues i UP-së ka 9 anëtarë. Sipas Statutit të Universitetit dhe Ligjit të arsimit të lartë, MASHTI emëron katër anëtarë derisa Senati zgjedh pesë.