Arabia Saudite trefishon TVSH-në për të mbështetur ekonominë

Arabia Saudite trefishoi tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), për të ndihmuar ekonominë e goditur nga koronavirusi.

TVSH-ja do të rritet nga 5 për qind në 15 për qind, ndërsa kostoja e ndihmës për jetesë do të pezullohet nga 1 qershori, raportoi media shtetërore.

Ndihma prej rreth 260 dollarësh në muaj për punëtorët e shtetit ka nisur të zbatohet në vitin 2018.

Reklama e sponzorizuar

“Këto masa janë të dhimbshme, por të nevojshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik në afat të mesëm dhe të gjatë, si dhe për të kapërcyer krizën e paparë të koronavirusit me dëmet më të vogla të mundshme”, tha ministri i Financave, Mohammed al-Jadaan.

Njoftimi erdhi pasi shpenzimet shtetërore në Arabinë Saudite i tejkaluan të ardhurat, duke e shtyrë këtë vend në një deficit buxheti prej 9 miliardë dollarësh, në tre muajt e parë të vitit.

Kjo, pasi që të ardhurat nga nafta në këtë periudhë kanë rënë me gati një çerek krahasuar me një vit më parë.

Pandemia e koronavirusit dhe kufizimet që ka shkaktuar ajo kanë bërë që kërkesat për naftë të zvogëlohen dhe, rrjedhimisht, çmimet e naftës të bien në nivele rekorde në gjithë botën.

Arabia Saudite ka raportuar mbi 41,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 255 viktima./REL