Austria ka ndihmuar Kosovën me 250 mijë euro për tejkalimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, ka njoftuar Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka.
Në një postim në Facebook, Reka ka thënë se dy ministrat austriakë, ai i Jashtëm, Alexander Schallenberg dhe ajo e Evropës dhe Kushtetutës, Karoline Edstadler, në vizitën e parë në Kosovë pas shpërthimit të pandemisë, kanë “rikonfirmuar edhe mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës”, ka njoftuar Reka.
Krahas Rekës, dy ministrat austriakë, në Aeroportin e Prishtinës, i priti edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.
“Në vizitën e parë në Kosovë pas shpërthimit të pandemisë, sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, dy ministrat austriak sollën ndihmën në vlerë prej 250.000€ për Republikën e Kosovës për tejkalimin e pandemisë. Pos ndihmës financiare, ata rikonfirmuan edhe mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës”, ka shkruar Reka në Facebook.