BE-ja nuk komenton deklaratën e Thaçit për bisedimet e udhëhequra nga Lajçaku

Për zgjidhjen e problemeve me Serbinë, Kosova duhet të bashkohet me të gjithë, por duhet të bëjë edhe diferencimin e partnerëve të saj strategjikë se kush mund të zhvillojë negociatat, të përmbyllë marrëveshjen dhe të zbatojë atë, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë, ai theksoi se ka besimin e plotë në rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do ta dinamiziojnë procesin dhe ta përmbyllin në mënyrë të suksesshme.


“Pa një rol udhëheqës të SHBA-së, nuk ka faktorë që mund t’i lëvizë këto gjëra, në veçanti çështjet shumë të rëndësishme, delikate dhe të vështira që janë në mes të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë”, tha presidenti Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Thaçi e vlerësoi si inkurajues çdo vullnet që tregohet nga Bashkimi Evropian në drejtim të zgjidhjes së kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por siç ka theksuar, ai nuk është në kontakt me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Siç tha presidenti Thaçi, në kontakt me këtë të fundit është kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Nuk e di se çka kanë biseduar dhe sa larg kanë shkuar Kurti, Lajçak dhe (përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Siguri, Josep) Borrell. Unë mendoj se si vend i pavarur, sovran dhe si ekip i Kosovës duhet gjithmonë t’i kemi parametrat dhe të jemi të vetëdijshëm se ky vend është i lirë, i pavarur, sovran. Por, përballë do të kemi dy negociatorë të cilët vijnë nga dy vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, Lajçak ka votuar edhe kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në një përgjigjje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënësi i Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja nuk mund të komentojë deklaratën e fundit të presidentit të Kosovës.

Të martën Thaçi tha edhe se do të jetë i gatshëm t’i përgjigjet çdo ftese për samite nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emannuel Macron.

“Por, nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, tha Thaçi.

Komentet e tilla, Thaçi i ka bërë gjatë vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës, për t’u interesuar për gjendjen ekonomike, posaçërisht të sektorit privat dhe për dëmet që i janë shkaktuar bizneseve gjatë pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Thaçi në vazhdimësi është duke insistuar që SHBA-ja ta ketë rolin udhëheqës për arritjen e një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë negociatat që një vit e gjysmë kur Kosova vendosi taksë 100 për qind për produktet e Serbisë. SHBA-ja dhe BE-ja në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e kësaj takse si kusht për rifillimin e dialogut. Qeveria në Prishtinë, më 1 prill hoqi taksën mirëpo aprovoi masat e reciprocitetit për produktet e Serbisë. Beogradi përsëri thotë se nuk do të kthehet në bisedime nëse nuk hiqet edhe kjo masë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar qeveria në Prishtinë që të heqë edhe reciprocitetin.

Zëdhënësi e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Grenell pret që të rinisë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ambasadori Grenell mezi pret që të ndodhin diskutimet e rradhës në kuadër të dialogut, sapo të vendoset përbërja e re e qeverisë”, ka thënë zëdhënësi i tij, Dick Custin.

Thaçi gjithashtu nuk ka dashur të komentojë lidhur me një vendim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për dekretimin e tij të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të ri. Por, lidhur me përplasjet e fundit verbale me kryeministrin në detyrë, Kurtin, ai tha:

“Është koha që edhe zoti Kurti dhe i tërë grupi i tij të përballen me drejtësi, për shkak të aktiviteteve kriminale dhe politike”, tha Thaçi.