Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, Oliver Varhelyi, ka thënë në prag të Samitit virtual me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet sot, se ky rajon është prioritet për BE-në.
Diplomati hungarez në një intervistë për DW, ka thënë se Ballkani është një rajon me diversitet dhe me probleme që duhet zgjidhur. Një prej këtyre, është edhe ai Kosovë – Serbi.
Varhelyi shpreson që dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të nis, menjëherë posa të mbahen zgjedhjet në Serbi, më 21 qershor. Kosova po ashtu është me qeveri në detyrë, por ai nuk ka folur për këtë temë.
Kosova në samitin e sotshëm do të përfaqësohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi. Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me koronavirusin ‘Korsitë e gjelbra’ që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Varhelyi.
Ai ka folur edhe për rolin e SHBA-së në zgjidhjen e çështjes mes Kosovës e Serbisë. Sipas tij, BE-ja është partnere e SHBA-së në këtë drejtim.
“Shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, sesa pyetja se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negocimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Sa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem as më shumë të jetë e mundur”, ka thënë Varhelyi për DW.
Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria Haradinaj vuri tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë.