BE zotohet të ndihmojë Ballkanin në luftën ndaj virusit

Bashkimi Europian (BE) u zotua të mbështesë fqinjët e saj të Ballkanit në luftën kundër koronavirusit, por i paralajmëroi ata që të jenë mirënjohës për ndihmën, pasi “diplomacia e maskave” nga ana e Kinës ka depërtuar në rajon.

Një video-konferencë me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë t’i bashkohen bllokut, u mbajt në një kohë kur Brukseli po përballet me akuza se ka dhënë një përgjigje të ngadaltë për të ndihmuar rajonin e Ballkanit në këtë krizë shëndetësore.

Kina është lavdëruar majtas-djathtas për shpejtësinë e saj në shpërndarjen e maskave dhe pajisjeve të tjera mjekësore. Brukseli tani ka përgatitur një sërë paketash ndihme, përfshirë 3.3 miliardë euro (3.6 miliardë dollarë) të njoftuar javën e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Një deklaratë e përbashkët pas bisedimeve të së mërkurës, nënvizoi gjithashtu një paketë prej 750 milionë eurosh në ndihmë makrofinanciare, si dhe një paketë prej 1.7 miliardë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve. Por premtimet e solidaritetit erdhën me një paralajmërim.

“Fakti që kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim shkon përtej asaj që çdo partner tjetër i ka ofruar rajonit, meriton një njohje publike”, thuhet në deklaratë. Në Serbi, në veçanti, presidenti Aleksandër Vuçiç sulmoi publikisht BE-në, duke deklaruar se “solidariteti europian nuk ekziston” dhe duke lavdëruar ndihmën e Kinës.

Ai puthi flamurin e vendit kur mjekët kinezë zbarkuan në Beograd dhe mediat serbe e reklamuan pa pushim ndërhyrjen e Kinës. Pas samitit, presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanoviç, shkroi në Twitter se Ballkani “nuk duhet të lihet në dorën e palëve të treta, sepse është një ind i gjallë europian”.

Me më pak se 500 të vdekur të konfirmuar nga virusi, Ballkani Perëndimor deri tani e ka shmangur rrënimin që kanë përjetuar vendet e prekura më rëndë në Europë. Por ekonomitë e dobëta të këtij rajoni të varfër po përgatiten për një pasojë të dhimbshme ekonomike – dhe po pyesin si do të ishte e ardhmja e tyre në një BE të përqendruar në mbijetesën e saj.

“Taktika autoritare”

Nga vendet që aspirojnë për në BE, Mali i Zi dhe Serbia, kanë përparuar më tepër në bisedimet për anëtarësim, dhe koha më e hershme e hyrjes është planifikuar për vitin 2025.

Por ato hasën një dizavantazh, kur grupi i të drejtave Freedom House me seli në SHBA, deklaroi në raportin e tij vjetor se dy vendet në fjalë nuk mund të klasifikohen më si demokraci. Shtetet e humbën statusin e tyre demokratik, për herë të parë që nga viti 2003 për shkak të “viteve të tëra korrupsioni politik, abuzimi me pushtetin dhe taktikash autoritare nga ana e udhëheqësve”, thuhet në raport.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se megjithëse e ardhmja e këtyre vendeve është në Europë, “qeveritë e rajonit duhet të zbatojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”. “Një shtyp i lirë është gjithashtu një gur themeli i demokracisë dhe është pjesë e ADN-së së BE-së”, deklaroi ajo.

Vuçiç theksoi sërish se Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE një ditë, por ai përmendi edhe zhgënjimet e Serbisë me procesin e ngadaltë gjatë një interviste për televizionin shtetëror RTS. “Unë thashë se nuk është realiste të guxojmë të shpresojmë se do të bashkohemi në tre deri në katër vitet e ardhshme – dhe është e qartë se kjo nuk do të ndodhë jo vetëm për shkak të situatës sonë, por edhe asaj të BE-së, kështu që unë i nxita të ndihmonin në hapjen e kufijve në Ballkan”, tha ai.

Vuçiç sugjeroi që serbët duhet të udhëtojnë lirisht dhe të bëjnë tregti të lirë me anëtarët e BE-së, Hungarinë, Kroacinë dhe Bullgarinë, si një masë e përkohshme. Kjo ide nuk u paraqit në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të vendeve të BE-së.

Që kur Kroacia, e cila aktualisht mban Presidencën e BE-së, u bë vendi i fundit që iu bashkua bllokut në vitin 2013, është ulur shumë dëshira për shtimin e vendeve të reja anëtare, ndërsa afati vazhdon të shtyhet. Tetorin e kaluar, Franca dhe Holanda ngjallën zemërim, duke këmbëngulur në tërheqjen e procesit të anëtarësimit, para se të binin dakord për të filluar bisedimet me Shkupin dhe Tiranën. Procesi do të rishikohet nga vendet anëtare të BE-së muajin e ardhshëm.