Bislimi: Keqpërdorimet po e zvarrisin kompensimin e punëtorëve

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka thënë në Interaktiv të KTV-së se keqpërdorimet që po bëhen nga bizneset, janë duke e zvarritur pagesën për kompensimin e punëtorëve.

“Për shembull, kemi furra, markete e shkolla private, të cilat e kanë vazhduar operimin online, duke u munduar ta keqpërdorin situatën. Kemi pompa të benzinës që kanë aplikuar, por kanë aplikuar për të gjithë punëtorët, ndonëse vetëm pjesa e restoraneve nuk ka punuar”, ka treguar ai.

Sipas Bislimit, janë diku rreth 350.000 kërkesa që duhet të procesohen.

Reklama e sponzorizuar

“Procesi do të shkonte më lehtë, po të kishte më pak keqpërdorime. Për shembull, një pjesë e pagesave, 26.000 për masën 3, është dashur të kryhen të hënën. Por procesi është zvarritur shkaku se janë eliminuar 7.000 keqpërdorime”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se 170 euro do t’i marrin punëtorët ekzistues të bizneseve që kanë punuar me humbje ”pra masa 3”. Ai ka vazhduar duke dhënë informata rreth kësaj.

“Listën e të punësuarve e plotëson punëdhënësi dhe ajo listë krahasohet me shkurtin. Çdo person që nuk ka figuruar në muajin paraprak, por është në listën e pagave të muajit mars ose prill, llogaritet si i ri në kategorinë e të punësuarve dhe me automatizëm përfiton nga masa. Në qoftë se bizneset kanë dokumentuar se kanë pasur vështirësi në operim shkaku i masave, si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte, ata e argumentojnë dëmtimin dhe përfitojnë”, ka thënë ai.

Bislmi ka vazhduar se ato biznese që i kanë paguar punëtorët, atëherë duhet me thënë vetëm “kompenzimi për punëdhënësin”.

“E, nëse e kanë paguar vetëm pjesërisht për pjesën që punëtori ka punuar, pjesën tjetër e listojmë në llogaritë e punëmarrësve dhe pagesa bëhet tek ta. Për bizneset që i kanë kompenzuar pagat, kompenzimi mund të bëhet vetëm për muajin e parë”, ka thënë Bislimi.

Ai ka bërë të ditur se për pikën e tretë të pakos, për punëmarrës ekzistues, kanë aplikuar “diku 137.000 punëtorë. Por, jo të gjithë kualifikohen ta marrin atë”.

Bislimi për “uljen” e papunësisë: Qeveria ka formalizuar ekonominë

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në Interaktiv të KTV-së ka komentuar deklaratën e tij për ulje të papunësisë e që u prit me shumë bujë nga rivalët politikë.

Ai ka thënë se kritikat për deklaratën e tij ishin të pakuptimta.

“Gjithkund në botë matet papunësia me të njëjtën formulë. Ajo që ka ndodhur në muajin mars është se kemi 11 mijë e 200 të punësuar të regjistruar për herë të parë e janë pajisur me kontrata njëvjeçare. Me automatizëm klasifikohen në listën e të punësuarve. Nëse kanë qenë në të papunëve, ajo ulet automatikisht. Ne s’kemi thënë se kemi ulur papunësinë. Ajo bie në tri forma: Duke hapur vende pune; Duke e përzënë popullin në Tisë siç e ka ulur papunësinë Isa Mustafa në vitin 2015 dhe duke formalizuar ekonominë”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi ka thënë se në Kosovë, në këtë kohë pandemie, Qeveria ka bërë vetëm formalizim të ekonomisë.

Ai ka treguar se deri tash janë regjistruar 11200 punëtorë që s’kanë qenë të regjistruar më herët si të punësuar, ndërsa 1300 janë lajmëruar që kanë mbetur pa punë.

Bislimi ka shtuar se Qeveria ka pritur që formalizimi të arrijë në 16 mijë persona.

“Jemi te 11-mijëshi. Para ka për 15-mijë deri 16 mijë vetë. Mund ta shtojmë këtë pako vetëm të formalizohet. Formalizimi rrit konkurrencën lojale. Nga asnjë ekspert s’kam marrë kritika”, ka shtuar ai teksa ka deklaruar se “është turp nëse në kohën kur shteti dëmtohet me 500 milionë euro, të mos shfrytëzojë diçka për të përmirësuar gjendjen duke formalizuar ekonominë”.

Bislimi për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit: Gjërat do të dalin në dritë, Vitia s’ka fije përgjegjësie

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka thënë në Interaktiv të KTV-së se duhet pritur raportin zyrtar rreth vdekjes tragjike të 26-vjeçarit në karantinë.

“I kam të gjitha informatat se çfarë ka ndodhur, si është aranzhuar ardhja e tij jashtë rendit, kush e ka aranzhuar ardhjen e tij, çfarë dokumente ka paraqitur në ambasadë e çfarë në Kosovë. E në momentin e duhur, gjërat do të dalin në dritë. E njerëzit do të skuqen për atë se çfarë kanë deklaruar. Në tërë këtë zinxhir ngjarjeje, i vetmi person që s’ka fije përgjegjësie është Arben Vitia”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe rreth vendimit të mundshëm të Kushtetueses. 

“Nëse Kushtetuesja nuk vendos në frymën e Kushtetutës, krijohet një precedent të rrezikshëm. Kjo nënkupton hapje të pazarit me deputetë. Nëse ka vendim që Qeveria nuk mund të krijohet pa fitues, si ishte fryma e vendimit më 2014, atëherë eliminohen stimujt për ta bërë deputetin objekt të pazareve”, ka thënë ai.

I pyetur rreth kritikave të opozitës për “afrimin e Qeverisë Kurti me Serbinë”, Bislimi ka thënë se “veç PDK-ja nuk ka kurrfarë aduti për të folur rreth kësaj çështjeve”.

“Nuk e di pse është problem testet nga Serbia. Janë 1.000 teste që shkojnë rreth 30.000 euro, të cilat mund të vendosen në sirtar. Në anën tjetër janë 500.000 euro që i kanë shkuar Luginës së Preshevës, kështu që këto dy gjëra nuk mund të vendosen në peshore”, ka thënë Bislimi.

Bislimi: Sipas sondazheve, nëse shkojmë tash në zgjedhje VV-ja fiton 59 deputetë

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, sipas sondazheve të fundit, nëse vendi shkon tash në zgjedhje, do të fitonte 59 ulëse në Kuvend të Kosovës. Madje kjo, sipas Bislimit, pa llogaritur fare votat e diasporës, për të cilat thotë se do ta rrisnin edhe më shumë fuqinë e VV-së.

Duke komentuar dërgimin e dekretit të presidentit për Avdullah Hotin kryeministër në Gjykatën Kushtetuese, ai ka thënë se “Gjykata nuk do të lejojë që të ketë Qeveri kundër vullnetit të qytetarëve, sepse vendoset precedent shumë i rrezikshëm”.

“Pas votimit të suksesshëm të mocionit, presidenti s’ka opsione tjera pos ta çojë vendin në zgjedhje. Për momentin është e pamundur, por masat kanë nisur të relaksohen e së shpejti mund të ketë normalizim e zgjedhjet mund të mbahen. I takon presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve. 14 qershori do të ishte perfekt sepse lidhet me datën e përvjetorit të Vetëvendosjes. S’di a është herët apo jo, varet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Kemi eksperienca shumë optimiste sa i përket rasteve. Por duhet të kemi kujdes t’i shmangemi valës së dytë. Ne nuk besojmë se jemi rritur, jemi të sigurt. Çdo subjekt bën sondazhe dhe i kanë rezultatet. Zhurma e madhe, sulmet frontale ndaj çdo vendimi të mirë të Qeverisë e ka burimin në këto sondazhe, dhe mendoj se subjektet tjera kanë nisur rrugë të gabuar dhe vetëm po e forcojnë VV-në. Sondazhi i fundit, kur pastrohet, na del me 59 deputetë, por pa përfshirë diasporën, me të edhe më shumë. Duket e pamundur, por një pjesë të kontributit e kanë dhënë partitë tjera me qasjen e tyre në muajt e fundit, por pjesa më e madhe i atribuohet mënyrës si kemi qeverisur sepse pas 20 vjetësh qytetarët e kanë parë se mund të qeveriste drejtë. Sondazhet që i bëjmë tregojnë disponimin në moment”, ka thënë Bislimi në Interaktiv.