Lirim për një vit nga taksa për shfrytëzimin e hapësirave publike, si dhe shfrytëzim pa pagesë të lokaleve të ndërmarrjeve publike.
Këto kanë qenë dy nga lehtësirat që Komuna e Prishtinës ka bërë për bizneset e gastronomisë, ndër sektorët që pësoi më së shumti humbje nga pandemia COVID-19.
Tani kur komuna është duke përgatitur pakon e dytë ekonomike për t’i ndihmuar bizneset të vazhdojnë punën, kafenetë dhe restorantet thonë se në këtë fazë kanë nevojë për grante.
Ndikimin e shërbimit “merre me vete”, bizneset e kryeqytetit e shohin si shumë të vogël në zbutjen e humbjeve, raporton KOHA.
Vështirësitë më të mëdha, ato presin t’i vërejnë nga 1 qershori, kur gastronomia lejohet të punojë me kapacitet të plotë.
Përkrahje financiare për bizneset në këtë periudhë po kërkon edhe Oda Ekonomike e Kosovës.
Themelimi i një programi të granteve për bizneset është i përfshirë në pakon e parë emergjente.
Ndërsa, komuna thotë se përmbajtja e pakos së dytë ende nuk është caktuar përfundimisht, pasi sipas saj, vazhdimisht janë duke shqyrtuar propozime.