Bizneset nisin punën, presin pakon e dytë fiskale dhe kthimin e normalitetit

Tregtia me pakicë, gastronomia dhe floktarët janë disa nga llojet e bizneseve që kanë filluar ushtrimin e aktiviteteve në fazën e dytë që nga vendosja e masave të reja pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit në Kosovë.

Shpat Hashani nga kafiteria “Babel”, hapjen e gastronomisë në fazën e dytë po e mirëpret, por që shpreson se hapja në tërësi të ndodh sa më shpejtë.

“Kjo është një fazë që duhet të testohet dhe nuk është diçka e re për neve që të shërbejmë në këtë formë por duhet t’i përshtatemi këtyre procedurave dhe po shpresojmë që të hapemi në tërësi dhe të fillojmë punën siç është më së miri”, tha ai, teksa shtoi se kjo mënyrë po mirëpritet nga qytetarët. Hashani kërkoi që pako e dytë fiskale e rimëkëmbjes të zbatohet sa më shpejtë.

Reklama e sponzorizuar

“Ka qenë shumë e vështirë dhe kur nuk punon nuk mundesh me rikuperu por për të gjithë njëjtë ka qenë dhe po shpresojmë që do të vijnë edhe me pakon e dytë fiskale, që do të na ndihmonte sado pak”, tha Hashani për EO.

Hapjen e gastronomisë, e ka mirëpritur edhe Andi Emra nga kafiteria “Poemë”, i cili në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se me hapjen e kësaj faze do të ringjallej sado pak ekonomia. 

“Për momentin mirë se kemi pasur nevojë që të ngjallet ekonomia dhe shpresojmë që të largohet pandemia dhe të vazhdojmë të punojmë siç kemi punuar më herët. Po shpresojmë që do të ketë edhe një pako tjetër. Ndihma nga shteti normal janë të mirëseardhura, duke e ditur gjendjen ekonomike tani dhe shpresojmë që do të marrin masa sa më shpejtë”, tha ai.

E Fitim Shehu, i cili operon me kafiterin e tij në qendër të Prishtinës, po shpreson që të hapen në tërësi gastronomia. Ai thotë se pako e dytë fiskale do të ndihmonte atë si biznes, raporton EO. 

“Po e shohim shumë mirë të shohim dhe po shpresojmë që do të lirohen në tërësi. Në pakon fiskale kanë premtuar rrogat e punëtorëve dhe për dy muaj gjysmën e pagesës së qirasë”, ka thënë ai, duke shtuar se humbjet nga kjo pandemi kanë qenë të mëdha.