Britania planifikon të lëshojë “certifikata të antitrupave”

Ekspertët publik thonë se një në 20 persona e kanë pasur koronavirusin.

Rreth një në 6 persona në Londër, dhe një në 20 në pjesën tjetër të Anglisë tashmë kanë pasur koronavirusin, ka thënë ministri britanik i Shëndetësisë Mat Hancock, gjersa zbuloi planet për “certifikata të antitrupave”.

Të dhënat e mbledhura nga një studim lidhur me antitrupat e koronavirusit thonë se 17 për qind e popullatës në Londër dhe rreth 5 për qind e njerëzve në Angli janë testuar pozitivë për antitrupat e koronavirusit, tha ministri gjatë një konference, raporton Al Jazeera.

Reklama e sponzorizuar

Ky lajm vjen pasi që qeveria u pajtua për një marrëveshje me kompanitë farmaceutike Roche dhe Abott për më shumë se 10 milionë teste të antitrupave, për të parë nëse njerëzit tashmë kanë pasur sëmundjen Covid-19, transmeton KOHA.

Testet së pari do t’i bëhen punonjësve shëndetësor dhe pacientëve si dhe banorëve të shtëpive për përkujdesje të të sëmurëve.

Ka brenga se lëshimi i “pasaportave të antitrupave” do të ndajë shoqërinë, me disa njerëz që do të vazhdojnë të jenë të mbyllur deri sa tjerët lëvizin lirshëm.