Dy rastet pozitive me COVID-19 të mërkuren në Vushtrri vijnë nga e njëjta familje. Ata kishin ardhur nga Suedia, disa ditë më parë, por nuk ishin vënë në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përmes një statusi në Facebook.
“Këta qytetarë kanë ardhur nga Suedia para disa ditësh dhe me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve por kanë qenë në vetizolim në shtëpinë e tyre”, shkruan ai, transmeton KOHA.
Tahiri po ashtu ka bërë të ditur se sot dalin rezultatet për rastet e kontakteve, të parapara të dilnin të mërkuren.