“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”

“Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Europian”, theksoi të mërkurën presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, pa përmendur se kur mund të bëhen vende anëtare gjashtë shtetet ballkanike.

Von der Leyen e bëri komentin në Twitter pas një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i mbajtur online për shkak të pandemisë COVID-19.

Në një deklaratë të lëshuar pas samitit, 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së, shprehën “solidaritetin e fortë” me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, “në kontekstin e koronavirusit”.

Reklama e sponzorizuar

Ata theksuan se “BE-ja ka mobilizuar me shpejtësi një paketë prej mbi 3.3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor” për të ndihmuar gjashtë vendet në luftën e tyre kundër pandemisë COVID-19 dhe theksuan se “kjo mbështetje dhe bashkëpunim shkon përtej asaj që ka mundësuar çdo partner tjetër për rajonin dhe meriton njohje publike”.

Paratë përfshijnë ndihmë të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, përmes ofrimit të furnizimeve thelbësore, si dhe mbështetje për rimëkëmbje sociale dhe ekonomike, përfshirë një paketë ndihme prej 1.7 miliardë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve.

Ata gjithashtu thanë se BE është e gatshme të ofrojë më shumë ndihmë.

“BE-ja është e vendosur të intensifikojë më tej angazhimin e saj në të gjitha nivelet, për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit”.

“Ndihma e rritur e BE-së do të lidhet me përparimin e nevojshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike, si dhe me adaptimin e Ballkanit Perëndimor me vlerat, rregullat dhe standardet e BE-së”, shton deklarata.

Franca, Danimarka dhe Holanda bllokuan bisedimet e pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor 2019, duke kërkuar një rishikim të procesit të zgjerimit, të përqendruar më tepër në sundimin e ligjit.

Kundërshtimi i tyre u përshkrua si “një gabim i rëndë historik” nga presidenti i atëhershëm i Komisionit, Jean-Claude Juncker.