“E pazakontë që Lajçak po e kundërshton shefin për ndarjen e Kosovës”

Ditë më parë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, nuk ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Borell ka thënë se për një gjë të tillë duhet të merren vesh Prishtina dhe Beogradi dhe se Brukseli s’mund të iu tregoj se për çfarë duhet të merren vesh dhe për çfarë jo.

Megjithatë qëndrim komplet ndryshe për një ide të tillë ka nëpunësi i Borellit, sllovaku Miroslav Lajçak, i cili është zgjedhur si Përfaqësues Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi. Ai thotë se ideja e korrigjimit të kufijve s’është fare në agjendë dhe sipas tij nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit.

Një qëndrim i tillë komplet i ndryshëm i Lajçakut prej atij të Borell, i ka rënë në sy edhe analistit gjerman, Toby Vogel, i cili është pjesë e DPC (Democratization Policy Council).

Reklama e sponzorizuar

Vogel thotë se është tepër e pazakontë që një zyrtar i BE’së të mos pajtohet publikisht me shefin e tij. Por, Vogel thotë se Lajçak ka qëndrim të drejtë dhe se ndarja e Kosovës do të destabilizonte të gjithë rajonin.

“Tepër e pazakontë për një zyrtar të BE’së që publikisht s’pajtohet me shefin e tij, por Lajçak po e bën të duhurën. Ndarja etnike e Kosovës do të destabilizonte të gjithë rajonin”, ka shkruar Vogel, raporton Gazeta Express.

Kundër idesë së korrigjimit të kufijve është edhe i gjithë faktori politik në Kosovë, derisa Gjermania e kancelares Merkel kërkon një zgjidhje që i kontribuon stabilitetit të rajonit.