Fermerëve u dëmtohen disa tonë produkte shkaku i pandemisë

Është koha që t’i mbjellë domatet, por fermeri Jeton Hoti lutet që ato të mos e kenë fatin e sallatës së gjelbër.

Nga 24 mijë bimë të kësaj sallate, 15 mijë prej tyre u janë kalbur, pasi ky fermer nga fshati Besi e Prishtinës nuk ka mundur t’i shesë për shkak të mbylljes së tregjeve gjatë pandemisë COVID-19.

Ai thotë se nga mosshitja e tyre ka humbur afro 4 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Tani ai hallin e ka te kungulleshkat, të cilat brenda pak ditësh do të jenë gati për t’u vjelë, raporton KOHA.

42-vjeçari kritikon Komunën, e cila thotë se ka mundur që fermerëve t’ua blejë produktet dhe t’ua shpërndajë qytetarëve në karantinë.

Një fat sikur i Jetonit mund ta gjejë edhe Florim Bllacën, fermer tjetër nga ky fshat.

Sallatat e tij janë gati për t’u vjelë nga e hëna, derisa ai kërkon ndihmën e institucioneve për t’i shitur ato.

Qeveria ka përfshirë në Pakon Emergjente Fiskale pesë milionë euro për grante dhe subvencione për rritje të prodhimit bujqësor.

Por, këto para ende nuk janë ekzekutuar.

Ndërsa, kryetari Shpend Ahmeti nuk ka kthyer përgjigje rreth formave që Komuna mund t’i ndihmojë këta fermerë.