Haxhiu: Ata që s’e duan vettingun, e duan sistemin e drejtësisë të pafuqishëm

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ata të cilët nuk e duan procesin e vettingut kanë një qëllim të qartë, e duan sistemin e drejtësisë të pafuqishëm në mënyrë që të bëjnë gjithçka dhe të mos i prekë askush.

Ajo ka deklaruar se koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme është në fazën finale.

“E kemi në fazën e fundit koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë të përfituar në mënyrë të paligjshme. Sipas rregullores së brendshme të Qeverisë i njëjti duhet të vendoset së pari në konsultime publike, dhe besoj se deri në fund të javës do të vendoset në konsultime publike për të marrë edhe mendimet e qytetarëve në lidhje me këtë koncept dokument”, ka thënë Haxhiu. “E pastaj i njëjti dërgohet në Qeveri për votim dhe bëhet projektligji. Ai do të bëhet në Kuvendin e ardhshëm, pas zgjedhjeve të reja. E rëndësishme është që ta përfundojmë fazën me koncept dokumentin sepse kjo ka marrë kohë edhe për faktin se kemi punuar në kushte pandemie”.

Reklama e sponzorizuar

Ajo thotë se vettingu ka për synim që të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Kam parë me shqetësim deklaratat e zyrtarit të AAK-së, që Kosova nuk duhet të ketë vetting. Institucionet e Drejtësisë kanë qenë të pafuqishëm kundrejt atyre që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë krijuar pasuri të paligjshme në kurriz të qytetarëve dhe pikërisht kjo gjendje nuk i duhet Kosovës. Pra, ne duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë ajo. “Ata të cilët nuk e duan procesin e vettingut kanë një qëllim të qartë, e duan sistemin e drejtësisë të pafuqishëm në mënyrë që të bëjnë gjithçka dhe të mos i prekë askush. Madje pikërisht nga Qeveria e kaluar kemi parë ndërhyrje arbitrare në sistemin e drejtësisë me kërcënimin ndaj prokurorit z. Blakaj, i cili merrej me lëndën e veteranëve mashtrues”.

Ajo thotë se tashmë është formuar një ekip për këtë çështje.

“Në këtë rast kemi marrë veprime menjëherë. Kemi formuar grupin e ekspertëve për vetting, i cili ka vazhduar punën ndonëse në rrethana shumë të vështira. Secili prej tyre ka marrë përgjegjësitë e tyre dhe deri në maj kanë pasur ta dërgojnë draftin, por për shkak të pandemisë kanë kërkuar kohë edhe një muaj e ca. Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të dërgojë kërkesën për vazhdimin e këtij afatit. Nuk është hakmarrje ndaj askujt, por duam të kthejmë besimin në institucionet e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Haxhiu mohon akuzat se ishte “seksere e Dalladakut”: Isha vetëm përfaqësuese ligjore

Albulena Haxhiu ka folur edhe për shkarkimin e Rrahim Ramës dhe akuzës që ai i bëri asaj se ishte “seksere e Faton Dalladakut” në blerjen e tokave shumë vite më parë.

Haxhiu si ministre në detyrë e Drejtësisë, mori nismën për shkarkimin e Ramës nga posti i drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, pasi sipas saj u gjetën shkelje të mëdha në punën e tij. Vendimi tha ajo, u mor me rekomandim të Komisionit Disiplinor, që funksionon në kuadër të Qeverisë.

Por pak kohë më pas, Rama e akuzoi Haxhiun se vite më parë kishte kryer “rolin e sekseres” në kompaninë e biznesmenit Faton Dalladaku për blerjen e një toke në vlerë 300 mijë euro.

Ajo mohoi këtë dhe tha se thjeshtë ishte e punësuar në kompaninë e tij.

“Unë kam punuar në firmën ‘Design Factory’, bëhet fjalë para më shumë se 10 vjetëve. Kam punuar për pak muaj, ndërsa për ata që ka shpifur zoti Rama, kam qenë vetëm përfaqësuese ligjore. Unë e kam deponuar padinë për zotin Rama dhe me të do të ballafaqohem në gjykatë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ngul këmbë se kur ka lëshuar punën te firma e Dalladakut, më nuk ka pasur asnjë kontakt me të.

Ministrja në detyrë po ashtu tha se shkarkimi i Rrahim Ramës ishte pasojë e skenimit që ajo dhe stafi morën përsipër t’i bëjnë Ministrisë së Drejtësisë me të shkuar aty.

“Në momentin kur kam shkuar në Ministri të Drejtësisë, kam pasur vendim të qartë për ta bërë një skenim të situatës dhe një prej gjendjeve më të mjerueshme ishte tek Agjencia për Adminstrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ku ka qenë drejtor zoti Rama.

Më thoshin në ministri se sa i rrezikshëm është ai, se është njeri i atij, i këtij, të gjithë kanë qenë në stres prej tij, duke iu thënë njoh policisë, njoh prokurorë. Por ne i kemi hy kësaj pune, s’kemi çka fshehim. I kemi bërë një skenim gjithë ministrisë, si punësimeve të zotit Ableard Tahiri (ish-ministër), konkursit për noterët, e kemi ditur se do të jemi cak, por nuk jemi ndalur. Për zotin Rama e kemi bërë një kërkesë në Komisionin Disiplinor dhe ai ka vlerësuar se i njëjti duhet të shkarkohet. Dhe kur është shkarkuar kanë nisur akuzat”, ka thënë ajo.

Haxhiu po ashtu ka shtuar se Rama, është zgjedhur drejtor në kundërshtim me ligjin.

“Edhe mënyra se zoti Rama është zgjedhur është në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2010 e ka kryer fakultetin, kurse më 2011 është zgjedhur drejtor. Secila deklaratë e tij është shpifje”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka komentuar edhe akuzat e Ramës për “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar. Ajo ka thënë se si ministre e Drejtësisë ka të drejtë të shkojë në këtë depo pa e njoftuar askënd tjetër.

“Në depo kam qenë më 19 mars, aty ku mbahet pasuria e konfiskuar dhe sekuestruar. Ishte vizitë që të shihej gjendja e veturave të konfiskuara. Aty lindën veprimet tona që të marrim veprime disiplinore ndaj Ramës, për shkak të gjendjes së rëndë që ishin veturat. Aty ishte e pranishme edhe zonja Bala dhe shefi i kabinetit, Sallahu. Herën e dytë isha me zotin Sveçla dhe drejtorin e Policisë, sepse qëllimi ishte se nëse ka vetura të konfiskuara të mund të përdoren për nevojat e policisë pasi donin të mos bënin shpenzime. Agjencioni për Administrim të Pasurisë është nën vartësi të MD-së dhe kam plotësisht të drejtë të shkojë aty pa e njoftuar bash askënd. Ai më përgjigjet mua, jo unë atij. Ai ka keqpërdorur pozitën, por as s’e ka kuptuar çfarë pozite mban. Është interesante pikërisht zoti Rama, që më kanë dërguar fotografi njerëzit, ku ai shihet me Kadri Veselin në depo gjatë fushatës zgjedhore se si Kosova e paska konfiskuar pasurinë e si e ka menaxhuar”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, menaxhimi i kësaj agjencie ka qenë tejet i dobët. Ajo ka thënë se veturat janë ruajtur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Haxhiu po ashtu ka thënë se nuk ka pranuar të marrë veturën e ish-ministrit Abelard Tahiri për shkak se “nuk e di se ku ka mundur të shkojë zoti Tahiri, e po të dilte një fotografi do të thoshin ja ministrja Haxhiu”.

“Rasti konkret një portal më dërgon veturën që ka pas Abelard Tahiri, e më thotë çka kërkon vetura e ministres para tri shtëpive afër Gërmisë. U thash se s’është vetura ime. Po të ishte e imja merreni me mend skandalin që do të bëhej. Ose Tahiri ose Florian Dushi e kanë. Njëri e ka. Meqë nuk isha unë askush s’merrej me mua. Pse kam vendosur, s’kam ditur se çfarë veture po vozis, por edhe sepse vetura e Tahirit më është thënë se duhen më shumë se dy mijë euro për ta servisuar. E di se ka shpenzuar shumë derivate”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka thënë se edhe këshilltarja e saj Nazlie Bala ka deponuar padi ndaj Ramës për akuzat e tij.

LDK-ja i ndihmoi Nismës të kalojë pragun, thotë Haxhiu

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, ka thënë se partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, por ka shtuar se do t’i duhet një parti e vogël që të arrijë shumicën në Kuvend. Sipas saj, pas një vlerësimi të situatës për të kaluarën është “kuptuar se LDK-ja ka ndihmuar Nismën të kalojë pragun”.

“Nëse shohim sondazhet, është bërë një nga UBO Consulting, që është publikuar edhe nga Besnik Bislimi, por edhe në emisione, për shembull edhe në KTV te Desku, shihen rezultatet. Kushdo që s’i beson këtyre sondazheve i ftoj të dalin në zgjedhje e të bëjmë matjen reale”, ka thënë ajo kur është pyetur se a do të fitojë VV-ja më shumë se 50 për qind të votave, nëse zgjedhjet mbahen së shpejti.

“S’po them se vetë do të bëjmë qeverinë, por mendoj se do të kemi nevojë për një parti të vogël që të bëjmë numrin 61”, ka shtuar ajo.

Sipas Haxhiut, Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-partneri i VV-së, i ka ndihmuar Nismës Socialdemokrate që të kalojë pragun në zgjedhjet e 6 tetorit, “sepse ndryshe s’do t’i bënin votat”. Ajo ka thënë se pas një vlerësimi të situatës, “del se gjithçka ishte e planifikuar”.

“Kur kthehesh pas, dhe e vlerëson situatën, jam e bindur se LDK-ja i ka ndihmuar Nismës që të kalojë pragun. Do të ishte ndryshe, por po duket se ishte e planifikuar kjo që ka ndodhur. Ata s’do t’i bënin votat. Sepse aktivistët tanë tregojnë se kur rinumëroheshin votat, kur Nisma humbte një votë, vëzhguesit e LDK-së reagonin më shumë se të Nismës, dhe pastaj disa ankesa e i kanë ndihmuar njëri-tjetrit pastaj edhe vendimet e PZAP-it herë ndryshe e të kundërta padyshim, ishte e qartë që ka pas ndikime… por këtë e kemi kuptuar më vonë”, ka thënë ajo.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK-ja ka arritur marrëveshje me AAK-në e Nismën për bashkëqeverisje.

Se a do të pranonte VV-ja një qeveri tash me Vjosa Osmanin në krye, Haxhiu ka thënë se partia e saj është e bindur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, duke shtuar se “po të mos ishte kandidate për kryeministre Osmani, LDK-ja do të ishte partia e tretë, madje larg të dytës e të parës”.

Haxhiu: Rrëzimi i Qeverisë në kohë pandemie i gabuar, do t’i kthehet bumerang LDK-së

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se rrëzimi i Qeverisë në kohë pandemie ishte i gabuar dhe se një gjë e tillë do t’i kthehet bumerang LDK-së.

Ajo ka folur edhe për deklarimet e Thaçit ndaj kryeminsitrit në detyrë, Kurti, dhe rreth kërcënimeve që i ishin bërë ndaj këtij të fundit.

“Kam parë publikimin e kryeminsitrit Kurti dhe kërcënimet ndaj tij. Padyshim se është shqetësues si kërcënim. Me aq sa kam informacione Policia ka nisur hetimet ndaj këtyre kërcënimeve. Në anën tjetër deklarimet e Thaçit janë shpifje, por ai tha se kam informacione, por është e qartë se nuk ka fakte. Shumë shpesh këto informacione nga AKI-ja i kthen në shërbim të tij. Pas kësaj deklarate të tij menjëherë është dashur të merrej në pyetje për këtë deklarim”, ka thënë Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se mund të realizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në vend.

“Kemi thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas pandemisë, ndonëse kjo i përket IKSHPK-së dhe MSH-së ta vlerësojnë. Në këtë drejtim zgjedhjet mund të mbahen shumë shpejt, me masa mbrojtëse. Ditë më parë kemi mbajtur edhe një provë se si mund të mbahen zgjedhjet. Nuk ka ndryshuar shumë situata nga ajo normale, përveç pajisjes me maska dhe doreza. Jo vetëm në Ballkan por edhe në vendet e tjera po pritet që të ketë zgjedhje si në Serbi, Francë e Maqedoni të Veriut. Nëse jeni i pajisur dhe mbani distancën atëherë nuk mund të ketë rrezik. Nuk ka asnjë arsye për të mos u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka deklaruar se arsyet e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë janë të paqëndrueshme.

“Ne kemi pasur parazgjedhjeve një premtim, që do të bëjmë koalicion me LDK-në dhe ka qenë i pritshëm që të arrijmë këtë marrëveshje. Fakti se si e rrëzuan Qeverinë kinse për shkarkimin e Veliut dhe antiamerikanizmin, ndoshta nuk janë të vetmet arsye, porse arsye të paqëndrueshme. Minsitrat e LDK-së janë ende në qeverisje dhe i vlerësoj për punën që e kanë bërë. Padyshim se ata e përfaqësojnë LDK-në dhe vazhdojnë të jenë ministra dhe i vlerësoj për punën që kanë bërë. Nuk është se ka ndryshuar shumë raporti ndërmjet nesh pas rrëzimit të Qeverisë. Në përgjithësi në raportet tona kemi qenë korrekt”, u shpreh Hahiu.

Ajo ka thënë se Qeveria nuk duhej të rrëzohej në kohë pandemie, porse një veprim i tillë do t’i kthehet bumerang LDK-së.

“Mustafa natyrisht që hedh akuza të tilla në drejtim të Vetëvendosjes. Ai e ka parë goditjen që ka marrë nga qytetarët e Kosovës pas veprimit që ka bërë që në kohë pandemie ta rrëzojë Qeverinë. Nuk kemi thënë se nuk është dashur që të na rrëzojnë, kanë menduar që duhet të na rrëzojnë, le ta bëjnë një veprim të tillë. Por, në kohë pandemia padyshim që ka qenë vendim i gabuar që bumerang do t’i kthehet LDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu nuk flet për protestat e mundshme: Të shohim vendimin e Kushtetueses

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka dashur të flasë nëse partia e saj, VV-ja, do të organizojë protesta në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shpall antikushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë.

Ajo e ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Qeveria dhe VV-ja do të pranojnë çdo vendim të Kushtetueses në rast se është vetëm interpretim. E në rast se do të jetë më shumë se kaq, siç ka thënë ajo, amandamentim, atëherë do të kundërshtohet.

Për protesta, ajo ka thënë se duhet pritur vendimi i Kushtetueses.

“Nuk kemi vendosur ende për protesta, sapo të kemi një vendim do të shohim. Nuk dua të paragjykojë aktvendimin, të shohim, masa e përkohshme e Kushtetueses është deri më 29 maj, e njëjta mund të zgjatet tutje, ta shohim si do të shkojë situata dhe do të jemi transparentë”, ka thënë ajo për protestat e mundshme.

Ajo ka folur edhe për tubimin që para disa ditëve u organizua në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe u quajt “Provë për protesta”.

Ajo tha se organizimi nuk ishte i VV-së, porse ka pasur edhe aktivistë të kësaj partie.

“Tubimi s’ka qenë i organizuar nga VV-ja, të gjitha vendimet merren në Kryesi dhe aty jam pjesë edhe unë. Ai vendim nuk është marrë aty, ka qenë një provë e qytetarëeve, kanë dalë dhe e kanë bërë, ka ndodhur edhe në shtete tjera. E drejta për protestuar është e mbrojtur me Kushtetutë dhe me Konventën Ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk bën të bie në presion të deklaratave të përditshme të liderëve partiak. Këtë ftesë të saj nuk e ka quajtur presion.

“Do të pranojnë interpretimin, por çfarëdo tendence për të shkruar Kushtetutën do të ketë reagime dhe pakënaqësi qytetare. Ka reagime edhe tash. Nuk po i nxisim qytetarët, por nuk mund t’u themi se çfarëdo që bëjnë këta, ju duhet të rrini të qetë. Qeveria jonë ka ngritur standardin, andaj nuk duan të bashkëpunojnë me ne. Po ashtu është edhe frika nga shteti i së drejtës. Nuk ka interes për të pasur vetting, konfiskim të pasurisë e të tjera”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për rolin e presidentit Thaçi, që sipas saj është e një lideri opozitar. Për këtë, ajo ka përsëritur thirrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që Thaçi të dorëzojë mandatin e presidentit dhe të garojë në zgjedhje.

“Thaçit i ka mbetur merak që të jetë pjesë e skenës politike, andaj e ftojmë që të heqë dorë nga posti i presidentit dhe le të përvjel mëngët e të futet në garë. Le të matet me zotin Kurti. Kurti e ka ftuar edhe në debat politik, pasi ai tashmë ka marrë anë, meqë hapur po e luan rolin e liderit opozitar”, ka komentuar ministrja në detyrë, Haxhiu.

Haxhiu: Ne s’pranojmë aktgjykime që flasin për afate që s’i parasheh Kushtetuta

Albulena Haxhiu, ministrja në detyrë e Drejtësisë, ka thënë se partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, s’do të pranojë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit për Avdullah Hotin e LDK-së kryeministër, nëse aty “flitet për afate që s’i parasheh Kushtetuta”.

Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu ka komentuar raportimet në media se Gjykata Kushtetuese do t’i “caktojë” afat 15-ditor Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar emrin e ri të kandidatit për kryeministër.

“Kjo është e paprecedent. Mandati i saj është të interpretojë Kushtetutën jo të shkruajë amendamente kushtetuese. Ato votohen në Kuvend me 2/3 e deputetëve. Gjykata s’ka mandat të shkruajë nen, për sa kohë Kushtetuta s’flet për afate kohore, ajo s’mund ta bëjë një gjë të tillë. Ajo duhet të vlerësojë a është apo jo në përputhje me Kushtetutën dekreti. Ne kemi thënë se do të pranojmë interpretimin, por padyshim që nuk mund të pranojmë një aktgjykim që flet për afat që s’e parasheh Gjykata. Mbi ç’bazë është ngritur kur gjykata edhe atë kohë nuk pati vendosur afat (rasti VLAN v.j.). Edhe ata që kanë marrë pjesë në draftimin, zoti Arsim Bajrami ka përmendur një takim me përfaqësues të partive kur e kanë diskutuar këtë pikë. Ka qenë ideja që të lidhet mandatari me zgjedhjet. S’mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Ne kemi përdorur para gjykatës, argumentin që pas mocionit vendi shkon në zgjedhje. Neni thotë se presidenti mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, si lejim pra, pasi që Kuvendi me 2/3 e rrëzon Qeverinë”, ka thënë ajo duke shtuar se Kosova ka mocion destruktiv e jo konstruktiv që kur të rrëzohet qeveria është i paraparë të ketë në mocion emrin e kandidatit të ri.

Sipas Haxhiut, “kur Gjykata Kushtetuese vlerësoi se s’kemi të drejtë, ne i kemi pranuar rregullat”, ndërsa ka shtuar se tash “s’mund të pranosh në rrethana të njëjta rregulla të ndryshme”.

“Jemi fuqizuar e dolëm të parët. Gjykata tha se s’mundeni të bëni qeverinë pa dalë e para. Nga 2014-a deri më 2020 ne punuam e kur dolëm në vend të parë, tash këta po duan të ndryshojnë rregullat e lojës pa u ndryshuar Kushtetuta. Ajo është ndryshuar më 2015 vetëm për Gjykatën Speciale, jo për nenet tjera që i kemi përfolur këto ditë. Për sa kohë janë këto rregulla, këto nene, vlen aktgjykimi i njëjtë. Ne pajtohemi që mund të jetë emër tjetër i mandatarit, që s’i takon partisë fituese, por propozimin duhet ta bëjë partia e parë. S’përjashton aktgjykimi që të ketë emër tjetër, por që i njëjti duhet të vijë nga partia që ka dalë e para në zgjedhje. Prandaj situata është e qartë, si të themi e zeza në të bardhë. S’ka dilemë. Ftoj edhe gjyqtarët të jenë në krye të detyrës e të mos bien pre e presioneve të askujt. Po thërras për drejtësi”, ka shtuar tutje Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se nëse Gjykata vendos që qeveria bën të formohet pa partinë fituese, do të humbte kuptimi i zgjedhjeve.

Haxhiu: Deklarimet e Thaçit presion i drejtpërdrejt mbi Gjykatën Kushtetuese

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, në Interkativ të KTV-së ka thënë se deklarimet e presidentit Hashim Thaçi janë presion i drejtpërdrejt mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Prej momentit kur kemi dërguar dekretin jokushtetues të presidentit në Gjykatën Kushtetuese edhe këto debatet lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të shprehura edhe në opinionin publik dhe në këtë drejtim nuk kanë munguar as akuzat e qëllimta të presidentit Thaçi ndaj kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, madje edhe sot ku prapavije e kishte nga Oda Ekonomike presidenti zgjedhe pikërisht Vetëvendosjen dhe Kurtin për ta quajtur grup kriminal. Duket që i njëjti është në panik, ka humbur toruan dhe është interesante është e qartë se ka njëfarë frustrimi, shqetësimi që nuk e di se për çfarë arsye i vjen. Është shqetësuese sepse është president i vendit”, ka thënë ajo.

Për të janë shqetësuese këto deklarata pasi vijnë nga presidenti, që do të duhej të kishte qëndrime neutrale.

“Do të ishte normale sikur të ishte lider i një partie, megjithatë. Por, të vijë nga një president që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit natyrisht bëhet shqetësuese. Por, për Vetëvendosjen nuk është befasuese. Me orkestrimet e tij për ta shpallur organizatë terroriste. Qeveria është ndërruar por shteti vazhdon të jetë i kapur, sepse po të kishte Prokuror përnjëmend menjëherë pas asaj deklarate do ta merrte në pyetje, sepse po e cilëson grup kriminal. Këto nuk janë të pranueshme por kur vijnë nga një president bëhen problematike”, ka thënë Haxhiu.

saj Thaçi është i vetëdijshëm për rënien e popullaritetit, derisa ka theksuar se deklarimet e presidentit janë presion i drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

“Thaçi ka një shqetësim të tillë dhe duket se është i vetëdijshëm për humbjen e mbështetjes së qytetarëve të Kosovës. Pakrahasimisht ai ka mbështetje të ulët dhe në anën tjetër i njëjti ka pasur përpjekje të shumta, së pari për ta shpallur atë gjendjen e jashtëzakonshme ku dështoi, tendencë për të bërë puq, nxitja e tensioneve në veri, thirrja për rezistencë. Dhe me orkestrimin e tij për ta rrëzuar Qeverinë. Deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe konsideroj se janë presion i drejtpërdrejt mbi Gjykatën Kushtetuese dhe padyshim që flasin shumë deklaratat e tij se çfarë përfaqëson ai”, ka thënë Haxhiu. “Në momentin kur ne kemi kontestuar dekretin jokushtetues të Thaçit ne kemi vendosur argumente tuaja. E kemi argumentuar se është e tillë. E kemi bazuar në dy precedantët e kaluar të vitit 2014 dhe 2017. Këtë nuk e konsideroj presion, por ne vetëm po e argumentojmë kërkesën tonë”.