Rrahim Rama, ish-kryeshef i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, pas shkarkimit nga Ministria e Drejtësisë, ka drejtuar disa akuza kundër Albulena Haxhiut, e ka thënë se këshilltarja e saj, Nazlie Bala, kishte pasur laborator droge në Kosovë. Për këto deklarata të Ramës ka folur MD-ja për Gazetën Express. Ajo ka deklaruar se për Ramën, Haxhiu e këshilltarja e saj do t’i dorëzojnë dy padi për shpifje.
Rama pretendon që MD-ja nuk ka gjetur shkelje ligjore për të dhe se ky veprim i tyre është bërë duke u bazuar në spekulime. Në emisionin Frontal në T7, ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për ndërhyrje politike në stafin civil.
“Ata me shirita të kuq që shkojnë në Ministri pas orës 16:00 më kanë shkarkuar vetëm me supozime dhe jo me fakte. Qeveri si kjo kurrë nuk kemi pasur, këta kanë ndërhy në punën tonë nonstop. Ndërhyrjet politike të kësaj qeverie ishin të tmerrshme”, ka thënë Rama. Ai ka ka akuzuar edhe këshilltaren e ministres në detyrë, Nazlie Bala, për ndërhyrje në punë e Agjencisë që ky ka udhëhequr.
Sipas tij, familja e Nazlie Balës ka pasur laborator droge e i njëjti është mbyllur pikërisht nga kjo Agjenci.
“Kjo Nazlie Balaj bashkë me Xhelal Sveçlën, me datë 19 mars, në kohën kur Kosova do të thotë hyri në pandemi, kanë shku e kanë vizitu Agjencinë. Kjo në fakt nuk është dashur asnjëherë të jetë këshilltare e ministres, familja e saj ka pasur laborator të drogës. Ne Agjencia ia kemi mbyllë atë laborator”, është shprehur ai.
Rrahim Rama ka akuzuar, gjithashtu, edhe vetë ministren në detyrë, Albulena Haxhiu, duke thënë se ka bërë trysni për të marrë vetura pa regjistrim zyrtar.
“Vetë ministrja ka ardhur në zyrën time edhe i ka kërkuar tri vetura me regjistrim jozyrtar, po unë nuk kam pranuar”, ka thënë Rama, duke e akuzuar Haxhiun se është bashkëpunëtore e Faton Dalladakut dhe se ka marrë para nga biznesmeni.
“Jo, për besë, nuk jam i shqetësuar, por më vjen keq. Unë kam qenë 15-vjeçar i burgosur, 16 vjet i kam bërë në burg. E të vijmë në këtë gjendje ta përjetojmë kohën e Millosheviqit. Unë jam duke e përjetuar këtë kohë. Është rëndë që njerëzit që kanë bërë gjithçka për këtë vend… edhe vjen një seksere e Faton Dalladakut, se kjo është seksere e tij. Albulena është seksere e Fatonit. Krejt Kosova e di kush është Fatoni”, ka thënë Rama në Frontal.
“Kjo veç që ka marrë pare në zarf nga Fatoni, kjo ka marrë pare edhe në konto. Kjo është pjesë e grupit të Fatonit, kjo është direkt në spitalet e Fatonit e involvuar. Do të dalin, se është duke u hetuar. Dhe besoj se spitali i Dalladakut do të konfiskohet, nëse Qeveria kthehet në rrugë të mbarë”, ka thënë Rama, duke e quajtur fatkeqësi për MD-në që udhëhiqet nga Haxhiu.
“A nuk është fatkeqësi për vendin që Ministrinë e Drejtësisë ta udhëheqë një bashkëpunëtore e Faton Dalladakut?”, ka thënë Rama.
Në Ministrinë e Drejtësisë kanë deklaruar se pretendimet për trysni ndaj Agjencisë janë gënjeshtra. Nga ky institucion kanë deklaruar se këshilltarja e ministres do të bëjë padi për shpifje në fillim të javës së ardhshme.
“E vërteta e gjithë kësaj, janë gënjeshtrat e tij. Znj. Bala, lidhur me këtë, dje ka deklaruar që do të bëjë padi për shpifje. Besoj deri në fillim të javës, kjo padi do të dorëzohet dhe për këtë shpifje të qëllimshme do të ballafaqohen në Gjykatë”, ka thënë MD-ja për gazetën.
Nga zyra e Haxhiut kanë deklaruar se Haxhiu e ka vizituar dy herë depon ku mbahen pasuritë e paluajtshme, e se këto vizita janë bërë për të vlerësuar gjendjen në të cilën ndodhet kjo depo.
“Agjencia është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrja Haxhiu ka vizituar 2 herë depon ku mbahen pasuritë e paluajtshme. Herën e parë të vizitës ka qenë në fillim të mandatit. Ministrja ka qenë në këtë vizitë me dy këshilltarët e saj, Blerim Sallahu dhe Nazlie Bala. Qëllimi i kësaj vizite ka qenë vlerësimi i gjendjes në të cilën ndodhet kjo depo. Dhe nga kjo vizitë kanë pasur një pasqyrë të qartë në raport me gjendjen e kësaj depoje dhe gjendjen në të cilën ndodhen pasuritë e paluajtshme”, ka deklaruar MD-ja për gazetën, derisa ka sqaruar se në vizitën e dytë në këtë depo, së bashku me ministren Haxhiu ishte edhe ushtruesi i detyrës së Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
“Ndërsa në vizitën e dytë, ministrja ka qenë së bashku me ministrin Sveçla dhe drejtorin e Policisë z. Qalaj. Në këtë takim nuk ka qenë znj. Bala. Qëllimi i të njëjtit ka qenë që drejtori i Policisë të shohë nëse në depo ka ndonjë veturë të konfiskuar dhe më tutje për të bërë kërkesë nga AAPSK-ja, për shfrytëzimin tutje për nevojat e policisë. Këtë mund ta konfirmoni edhe nga drejtori i Policisë”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Rama mund të përballet në Gjykatë edhe me Haxhiun, pasi që ministrja në detyrë e Drejtësisë, do të dorëzojë padi për deklaratën e tij për bashkëpunim me Dalladakun e pretendimet tjera.
“Aty ka takuar stafin, i pranishëm ka qenë edhe ish-drejtori z. Rraha. Ministrja ka qenë e shoqëruar nga sekretari z. Marmullakaj, dhe asistentja saj znj. Berita Abazi. Asnjëherë tjetër ministrja nuk ka pasur takim me z. Rrama. Për këtë shpifje dhe të gjitha shpifjet tjera, nesër do të deponojmë padi sepse janë të papranueshme dhe me qëllim të keq”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Reagim ndaj pretendimeve të Ramës ka pasur edhe biznesmeni Faton Dalladaku. Përmes një reagimi i njëjti ka thënë se Rama ka shpifur kundër tij e ka sqaruar edhe bashkëpunimin që ka pasur në të kaluarën me Haxhiun.
“Sa i përket përfoljes së znj. Albulena Haxhiu ministre i Drejtësisë në detyrë, ajo ka qenë e punësuar një kohë deri në vitin 2010 në kompaninë time dhe natyrisht ka marrë pagë përmes kompanisë time, por në asnjë rast nuk është e përfshirë në rastet kriminale që më kanë ndodhur mua pas vitit 2011. Nuk është e vërtetë se unë i kam dhënë para në zarfe asaj, madje as nuk kam kontaktuar me të në këtë kohë dhe nuk kam asnjë kontakt me të që nga koha kur e ka lëshuar punën në kompaninë time dhe është inkuadruar në politikë”, ka thënë Dalladaku, derisa u ka bërë thirrje organeve të rendit që të nisin hetime për lidhjet kriminale në mes të, siç ka thënë ai, të dyshuarve dhe zyrtarëve të këtij lloji që përkrahin detyruesit e mashtruesit.
Dy ditë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se një komision disiplinor i themeluar nga Qeveria në detyrë, ka “ndërprerë marrëdhënien e punës” me drejtorin e Agjencisë së Pasurisë së Sekuestruar, Rrahim Rama.
Haxhiu përmes statusit në Facebook ka njoftuar tre hapat në lidhje me këtë lëvizje, e cila nis prej 7 prillit kur u iniciua “procedura disiplinore” ndaj personit në fjalë.