Izmaku u shkarkua nga posti i drejtoreshës në Postë, pasi humbi shumë konteste gjyqësore

Menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës ka shkarkuar të martën Xhyljetë Izmaku-Ramën nga pozita e drejtoreshës së Departamentit për Burime Njerëzore, Administratë dhe Protokoll.

KOHA merr vesh se ajo është shkarkuar për shkak të shkeljeve në vendin e punës dhe për nepotizëm.

Izmaku-Rama është bashkëshortja e ish-deputetit të PDK-së, Rafet Rama, i cili më 2016 ishte kundërkandidat formal i Hashim Thaçit për president të vendit. Ajo po ashtu është motra e ish-deputetes së PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Reklama e sponzorizuar

Ndër arsyet e shkarkimit, siç mëson KOHA, janë gjetjet e Auditorit për shkeljet e bëra gjatë menaxhimit të saj me Burimet Njerëzore në këtë ndërmarrje.

Në disa dokumente të siguruara nga KOHA, ku flitet për auditimin e aktiviteteve në lidhje me kontestet gjyqësore nga marrëdhënia e punës së punëtorëve të Postës, për shkak të shkeljeve ligjore nga Izmaku-Rama, Posta kishte humbur mijëra euro në këto konteste.

“Në rastin e punëtorit G.I. për arsye të mosrespektimit të dispozitave ligjore nga ana e menaxhmentit, Posta e Kosovës ka humbur lëndën në gjykatë. Dëmi i shkaktuar që është dashur ta paguajë Posta ka qenë 29 mijë e 245 euro”, thuhet në arsyetim.

Sipas opinionit të Auditorit, në këtë rast ish-kryeshefi ekzekutiv dhe Drejtoria e Resurseve Njerëzore, Administratës dhe Protokollit, si dhe Drejtoria ligjore kanë dështuar t’i kryejnë detyrat e veta.

Derisa në rastin e kontestit me punëtorin B.S., Auditori ka gjetur se papërgjegjësia e menaxhmentit për kryerjen e detyrave ligjore ka bërë që dëmet t’i ngarkohen Postës në vlerë prej rreth 45 mijë eurosh.

Auditori ka vërejtur se edhe tek rasti i punëtorëve Q.A dhe I. H, humbjet që Posta do të pësojë janë rreth 7 mijë euro.

Sipas Auditorit, edhe pse Drejtoria Operative dhe Drejtoria e Burimeve Njerëzore u kishin ofruar disa formularë si dëshmi për risistemimin e punëtorëve, ato nuk janë marrë për bazë pasi nuk kanë qenë bindëse.

“Dokumentet nuk kanë qenë bindëse për ne (auditorët), pasi kanë qenë pa data të përpilimit dhe nuk përmbanin ndonjë informatë se të njëjtat janë plotësuar në kohën e duhur. Këto dokumente nuk kanë qenë të aprovuara nga ish-KE-ja. Andaj, sipas opinionit tonë, Drejtoria e RNJAP-së dhe Drejtoria Operative kanë dështuar t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësit sipas sugjerimeve dhe ndikimit nga ish-KE-ja”, thuhet në dokument.

Sipas dokumenteve, Xhyljeta Izmaku-Rama është shkarkuar nga pozita e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore dhe është caktuar në një pozitë tjetër, deri sa ndaj saj është ngritur Komision Disiplinor.

Inspektorati i Punës ka konfirmuar se rasti është iniciuar nga Posta dhe se do të trajtohet në ditët në vazhdim .

është e vërtetë që Posta e Kosovës ka iniciuar një rast për shkelje të ligjshmërisë në fundin e javës së kaluar. Por ne ende nuk kemi marrë raportin zyrtar, kjo pasi dita e hënë ishte festë zyrtare dhe presim që në ditët në vazhdim ta marrim lëndën dhe duhet kohë për t’i analizuar çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit”, ka thënë Valon Leci, u.d i Kryeinspektorit të Punës.

Por, vetë Izmaku-Rama i ka mohuar akuzat. Ajo i ka thënë KOHËS se shkarkimi i saj ka ngjyrime politike dhe nuk qëndrojnë pretendimet e menaxhmentit të ri.
“Shkarkimi i sotëm nuk ka të bëjë asgjë me shkelje të detyrave të punës e as nepotizëm, është agjendë politike e shkarkimit që po zbatohet përmes u.d të kryeshefit ekzekutiv të Postës, i cili për të arritur këtë edhe ka bërë presion dhe ndërrim të anëtarëve të Komisionit Disiplinor vetëm për ta përmbushur agjendën e planifikuar të partisë Vetëvendosje”, ka shkruar Izmaku-Rama në Facebook.