Kaçaniku: Çmimet e konsumit janë rritur, qytetarët po pësojnë shumë”

Dyqan i produkteve ushqimore

Kosova pothuajse që dy muaj po përballet me Covid-19.  Qytetarët nga paraqitja e rasteve të para, kanë nisur në mënyrë masive që të sigurojnë rezervat ushqimore, pas panikut për këtë sëmundje. Por, si duket një situatë të tillë, më së miri e kanë shfrytëzuar marketet, të cilët kanë shtrenjtuar çmimet e artikujve.

Drejtuesi i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për KosovaPress, se qytetarët janë ata që po e pësojnë më së shumtë në një situatë të tillë, pasi shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë.

“Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, ato janë më të mëdha se sa ato 50 milionë në vjet që po na i marrin me kusure. Neve na i marrin TVSh-në, me një udhëzim administrativ të para disa viteve qytetarët janë liruar nga TVSh në artikujt themelorë, po e marr si shembull miellin, grurin, bukën, dhe ai 16 përqindëshi nuk duket askund. Qeveria na ka liruar, por ne në çmim nuk e kemi shijuar kurrë. Dhe del që qeveria ka marrë pjesë në abuzimet në këtë 16 përqindësh…Neve na hyjnë në hak me çmimin nominal, na hyjnë në hak me peshë, na hyjnë me hak me përbërës”, tha Kaçaniku.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse qytetarët janë të shqetësuar me këtë situatë, Kaçaniku thotë se janë të paktë ata që bëjnë ankesa në institucionet përkatëse.

“Inspektorati e çon lëndën në gjykatë, por në gjykatë janë grumbulluar mbi 300 mijë lëndë, dhe kjo lënda e vockël arrin e fundit, ose mund të parashkruhet ndonjëherë. Dhe pa marrë parasysh kur të vijnë radha është rast i tillë i cili e meriton një urgjencë, një gjykatë të veçantë që mos të vonohet, për arsyeje se vonesa nuk sjell dobi. Dhe këto ankesa janë të vogla, por megjithatë ne kolektojmë, gjejmë dhe hulumtojmë në treg dhe faktikisht edhe monitorimi po na merr më së shumti kohë, dhe përpiqemi që t’iu dalim krahë”, tha Kaçaniku.

Në mënyrë që të mos ndodhin rritjet e çmimeve, ai thotë se qeveria duhet të t’i shërbejë konsumatorit, e jo bizneseve. Meqë, sipas tij shumë pak po dëgjohen kërkesat e tyre, marrë edhe parasysh edhe gjendjen e ekonomive familjare.

“Meqë tregu është ngushtuar, mundësia e furnizimit është minimizuar, çmimet rriten. Ne duhet të shohim me MEPTINIS, se çfarë mund të bëjmë së bashku që të identifikojmë ngritjet spekulative, prej ngritjeve që janë ndikim i Ligjit Themelor të Ekonomisë, që është oferta dhe kërkesa”, thekson ai.