Kadri Veseli sot në një postim në Facebook ka komentuar raportin e organizatës Freedom House, e cila dje ka publikuar një studim ku thuhet se Kosova ka rritje të demokracisë prej shkallës 3.11 nga viti i kaluar në shkallën 3.18 këtë vit.
Ai ka mirëpritur “lajmin e mirë” për Kosovën, duke thënë se ky raport lehtëson sado pak zymtësinë e periudhës së pandemisë, duke shtuar se “Ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka pësuar një përkeqësim për sa i përket demokracisë, Kosova raportohet si i vetmi vend në rajonin e që për të pestin vit radhazi ka shënuar përparim të ndjeshëm”.
Sidoqoftë Kadri Veseli shfrytëzoi rastin për të kritikuar pushtetarët që dikur ishin në opozitë, duke thënë se Kosova ka pasur përparim deri sa partia e Veselit ishte në pushtet “Përkundër atyre nihilistëve që e kanë ndërtuar suksesin e tyre elektoral tek akuzat e rreme apo tek nxirja e realitetit të vendit tonë, Kosova ecën përpara me hapa të qëndrueshëm në drejtimin e duhur”.
“Raporte prestigjioze ndërkombëtare si ky, demantojnë me fakte pretendimet populliste elektorale të atyre aktorëve politikë kosovarë që nuk dinë të ndërtojnë e ofrojnë vizion për të ardhmen, por garojnë vetëm duke denigruar rivalët e refuzuar arritjet e së shkuarës”, shkroi ai.
Organizata Freedom House, e cila përcjellë dhe promovon zhvillimin e demokracisë përreth botës, dje publikoi një raport për vendet e Ballkanit, ku Kosova doli se ka përparim ne zhvillimin e demokracisë, nga 3.18 në 3.11 sa ka pasur vitin e kaluar. Shtetet fqinje sipas kësaj organizate kishin pësuar rënie, sidomos Serbia dhe Mali I zi, për të cilët thuhet se nuk kategorizohen më si demokraci.