Kafenetë e restorantet në krizë, kërkojnë rifillimin e punës sa më shpejt

Përfaqësues i Shoqatës së Gastronomëve, Labinot Ademi ka thënë se bizneset tashmë kanë filluar ta ndjejnë krizën ekonomike dhe kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që në fillim të muajit qershor t’i lejojnë të fillojnë punën.

Ademi ka thënë se si shoqatë kanë kërkuar nga ministria edhe një ndihmë shtesë.

“Shpresoj që nuk do zgjatet më shumë kjo gjendje dhe rishikimi i masave nga ana e ministrit të jetë pozitiv. Shpresoj që nuk do shtyhet më shumë se 1 qershori, pasi tash po e ndjejmë dhe krizën dhe sigurisht kemi punëtor”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Siç tha ai, bizneset kanë nevojë që Pakoja emergjente të ndryshohet.

“Saktësisht kërkesa jonë për ndryshim në Pakon emergjente ka qenë zbatim në rrogë për punëtorët, rimbursim për hapjen e biznesit… ”, tha Ademi për RTV Dukagjini.

I pyetur se a kanë pasur ndonjë kontakt nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ai mohoi një të tillë.

“Jo nuk na ka kontaktuar, ne kemi prit një rregullore si shoqatë dhe që ta implementojmë, por jemi duke pritur”, tha ai.